Pas më tepër se një muaji ndeshje të luajtura, paraditen e nesërme Zyra Rajonale e Federatës Shqiptare të Futbollit në Shkodër do të zhvillojë ceremoninë përmbyllëse të kupës së zhvilluar në nderim të ish- futbollistit dhe ish- trajnerit të Vllaznisë Esat Rakiqi, të ndarë nga jeta pak muaj më parë. Në të pritet të marrin pjesë familjarë dhe shokë e kolegë të tij. Para se të zhvillohet kjo ceremoni dhe ndarja e kupave për fituesit, do të zhvillohet të gjitha ndeshjet sipas grupmoshave.Tashmë janë përcaktuar edhe skuadrat finaliste dhe mbetet për të përcaktuar vetëm fituesit. Më shumë sesa kjo, e rëndësishme është që u zhvillua një aktivitet në nderim të këtij personazhi të shquar të futbollit shkodran dhe atij shqiptar dhe padyshim që merita për këtë i takon shefit të kësaj zyre Hysen Zmijani. Ai edhe më parë ka organizuar kupa në nderim të të tjera figurave të futbollit të cilat padiskutim që duhen nderuar dhe respektuar për atë çfarë kanë dhënë në vite për këtë lojë. Natyrisht që edhe fituesit, do të kenë një kënaqësi të madhe të thonë më pas se kanë fituar kupën me emrin e të madhit Esat Rakiqi.

© shkodrasport.com