Ndeshja që do të mbyllë javën e tetë të Premier League me shumë gjasa është më e madhja deri në këtë pikë të sezonit.

Duke e nisur javën si vendi i parë dhe vendi i dytë i kampionatit, as Liverpool (6 fitore, 1 barazim, 0 humbje) dhe as Manchester City (6 fitore, 1 barazim, 0 humbje) nuk mund t’i lejojnë vetes të humbasin.

Edhe pse nuk e kanë provuar shijen e humbje në këtë kampionat, Liverpool vjen nga tre ndeshje radhazi pa fitore, por vetëm njëra prej tyre ishte e vlefshme për Premier League, barazimi ndaj Chelsea.

Manchester City mban vendin e parë sepse ka shënuar gjashtë gola më shumë se Liverpool, por “të kuqtë” marrin zemër nga kalendari, sepse ata janë ndeshur me ekipe që mesatarisht ndodheshin në vendin e 10-të të renditjes, ndërsa City e ka mesataren e klasifikimit të kundërshtarëve 14.7, përfshi edhe sfidat me katër ekipet në fund të renditjes.

Që pas humbjes ndaj Lyon, në ndeshjen e parë të Champions League, City ka fituar katër ndeshjet e fundit në të gjitha veprimtaritë, me rezultatin e përgjithshëm 12-1. Ekipi i Pep Guardiola është në rrugën e duhur për të përmirësuar rekordin me 106 gola në Premier League, mesatarisht 2.79 gola për ndeshje. Deri tani, ata e kanë pasur mesataren 3 gola për ndeshje.

City ka fituar 44 dhe ka humbur vetëm katër nga 54 ndeshjet e fundit të luajtura në Premier League, por nga ata tjetër ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit kundër Liverpool, duke humbur plot pesë prej tyre.

Të tre golat e shënuar nga Mohamed Salah në këtë sezon kanë ardhur në “Anfield”, ndërsa Sergio Aguero ka shënuar pesë gola për Manchester City në këtë kampionat.

Dhjetë përballet e fundit mes Liverpool dhe City në “Anfield Road” kanë parë dominimin e “të kuqve” në 45 minutat e para me 12 gola të shënuar dhe vetëm tre të pësuar.

Humbja e fundit e Liverpool në “Anfield Road” për Premier League daton në prill të vitit 2017 dhe në këtë periudhë ka regjistruar 16 fitore dhe 8 humbje, me 17 ndeshje pa pësuar gol.

Faktikisht të dyja skuadrat preferojnë golat e shpejtë, pasi e kanë mbyllur pjesën e parë në avantazh në 79% të rasteve të ndeshjeve të luajtura në këtë kampionat.

Mesfushori i Liverpool, Naby Keita, do të jetë gati të luajë pavarësisht se e kaloi në spital natën pas ndeshjes së humbur në minutën e fundit në Champions League ndaj Napoli. Do të jetë i gatshëm edhe Adam Lallana, ndërsa i padisponueshmit i vetëm për Liverpool është Alex Oxlade-Chamberlain.

Te Manchester City, Benjamin Mendy është kthyer në dispozicion të Guardiola, ndërsa Kevin De Bruyne dhe Ilkay Gundogan nuk do të luajnë, pavarësisht se janë stërvitur me ekipin në ditët e fundit./telesport/