Kampionati shqiptar i elitës është në një fazë të rëndësishme të saj. Tirana dhe Partizani janë në garë për titullin, rivalitet ka edhe për zonën e Europës, ndërsa zona e mbijetesës mbetet përherë e nxehtë. Në Kategorinë e Parë ekipi si Dinamo, Skënderbeu dhe Flamurtari duan rikthimin mes më të mirëve.
Trajneri i mirënjohur, Nevil Dede në një intervistë të dhënë për News 24 ka folur pothuajse për gjithçka, duke dhënë këndvështrimin e tij për çështje të rëndësishme në futbollin shqiptar. Rinovimi i Orges Shehit me Tiranën, deklaratat e Colellas për daljen nga gara e titullit ishin vetëm disa nga temat e prekura ashtu si dhe ndeshja e kesaj fundjave ne mes Vllaznise dhe Tiranes.
“Është një përballje e vështirë për Tiranën kjo e kësaj fundjave në Shkodër. Në këtë sezon Vllaznia i ka marrë 7 pikë Tiranës, kjo do të thotë se i pret një ndeshje e luftuar. Vllaznia ka në lojë dy rezultate pozitive. Shkodranët kanë mundësinë për të treguar se nuk e ka menaxhuar mirë sezonin, por kanë grup të mirë. Kjo javë është delikate.
Besoj se është pika kyçe e kampionatit. Besoj se rezultati i ndeshjes në Shkodër përcakton shumë. Ose mbyllet sezoni, ose vazhdohet i hapur. Jemi mësuar edhe nga deklaratat se skuadrat, stafet dhe klubet i marrin ndeshjet hap pas hapi. Siç i ka Tirana objektivat e shpallura, edhe Partizani i ka. Janë skuadra që janë krijuar për të fituar.
Sipas renditjes, Tirana dhe Partizani kanë siguruar Europën. Pastaj, do të shohim kush do të shpallet kampion. E rëndësishme është që kampionati është në Tiranë. Mendoj se Egnatia e meriton të jetë në Europë për sezonin që ka bërë. Egnatia rrezikon shumë, pasi ka përpara sfida të vështira. Vllaznia është aty. Na ka mësuar ky edicion që trendi i këtij kampionati është se nuk ka diferenca. Dikur flitej për një Laç në krizë, tani fliet për një Laç që mund të shkojë në Europë.