Drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, eshte shprehur se në Shkodër e presin me padurim ndeshjen me Tiranën në fundjavë.

Në emisionin “SportZone” në MCN TV, ai u shpreh se Vllaznia ka ekip shumë të mirë dhe sipas tij do të fitojë ndaj kryesuesve.

“Ndeshja me Tiranën? Shkodra ka raporte të mira me të gjithë Shqipërinë. Në Shkodër e presin me padurim ndeshjen me Tiranën. Femrat dhe fëmijët vijnë në stadium falas. Tirana të krijon respekt sepse është më meritë në vend të parë. Vllaznia është Vllaznia dhe do të jetë një ndeshje spektakolare.

Tirana ka bërë shumë mirë, sepse i ka ikur kamerave dhe shtypit. Kanë qenë sa më larg kamerave, të përqendruar te fusha. I respektoj dhe i uroj suksese. Mendoj se këtë fundjavë fitojmë ne. Kemi ekip shumë të mirë”- eshte shprehur Neziri.

Neziri ka folur edhe per shortin e hedhur sot per gjysmefinalet e Kupes se Shqiperise: “Dëshira jonë ishte të na binte shorti me Partizanin dhe kështu ndodhi. Jemi të kënaqur, sidomos që ndeshjen e parë e luajmë jashtë dhe ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Partizani të jep adrenalinë. Kjo mund të quhet edhe si një finale e parakohshme. Është kënaqësi t’i shikosh të dyja ekipet në fushë. Partizani nëse e meriton të kalojë, do ketë edhe respektin e tifozerisë shkodrane.

E kam thënë edhe më parë, që duhet t’i japim hapësira trajnerëve të rinj, si rasti i Mehmetit që po bën mirë. Jam i bindur që trajnerët e huaj nuk kanë asgjë më shumë se trajnerët vendas.

Neziri deklaroi se Vllaznisë këtë sezon i mungon karakteri që kishin vitin e kaluar, pasi sipas tij, ekipi ka më shumë cilësi në lojtarë.

Vjet fituam Kupën dhe ishin shumë afër titullit kampion. Këtë vit prisnim shumë. Ekipi është shumë i mirë, por skuadra ka lënë shumë për të dëshiruar. Jam i bindur që Vllaznia ka çaluar në pjesën e karakterit, që kishte ekipi i vjetshëm. Këtë vit kemi më shumë cilësi, por më pak karakter”.