Me kalimin e viteve, pozitat e flamurit shqiptar në arenën europiane të futbollit janë forcuar. Kjo, jo vetëm nga kualifikimi historik i Kombëtares në Europian për herë të parë në 2016, por edhe me përfaqësimin në strukturat e UEFA-s.
Presidenti i FSHF-së është ai që kryeson piramidën e rëndësisë, referuar pozicionit në UEFA. Armand Duka, veçse pjesë e qeverisë europiane të futbollit si anëtar i Komitetit Ekzekutiv, është gjithashtu nënkryetar i Komisionit “Hat Trick”, si dhe i Komitetit të Infrastrukturës dhe Sigurisë në stadiume.
ADMINISTRATA – Pjesë e administratës së UEFA-s, me një pozicion të rëndësishëm është Denis Bastari. Ky i fundit është menaxheri i projektit “Hat Trick”.
KOMITETE – Në listën e përfaqësuesve të futbollit shqiptar në panelet dhe komitetet e UEFA-s, së fundmi janë shtuar shumë punonjës dhe ish-punonjës të FSHF-së. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, është në Komitetin e Futbollit. Ish-anëtari i KEsë në FSHF, Artan Hajdari, është pjesë e Komitetit Ligjor.
Edvin Libohova, aktualisht president i Ligës Profesioniste, është pjesë e komitetit për “Fair Play”-n dhe përgjegjësinë sociale. Sokol Jareci është pjesë e panelit të Konventës së Gjyqtarëve.
Arben Dervishaj, një tjetër anëtar i KEsë në FSHF, është pjesë e panelit të infrastrukturës së stadiumeve. Gazmend Malo, drejtori i departamentit të marketingut në FSHF, është pjesë e Komitetit të Medias. Shefi i departamentit juridik në FSHF, Aldi Topçiu, është në rolin e inspektorit të Disiplinës. Në rolin e oficerëve të ndeshjeve si delegatë, janë Edvin Libohova, Bujar Kasmi dhe Keidi Tomori.
Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, është gjithashtu pjesë e paneleve në UEFA. Një tjetër shqiptar, si delegat ndeshjes, është Eduard Dervishi. Referuar shqiptarëve të Kosovës, Agim Ademi është pjesë e “Hat Trik”, Eroll Salihu në Komitetin Ligjor dhe Arianit Ahmeti si delegat ndeshjesh. Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamet Sejdini, është pjesë e Komitetit të Federatave Kombëtare.