Ante Aralica ishte futbollisti që la Vllazninë me 10 lojtarë në takimin e fundit kundër Teutës. Sulmuesi kroat u ndëshkua në minutën e 33-të të ndeshjes pas një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj Asion Dajes. Një veprim i tillë nuk u tolerua aspak nga arbitri që me ndihmën e VAR dha dënimin maksimal për shtatlartin.
Një ndëshkim që ndoshta ndikoi edhe në fatet e takimit, duke parë edhe nivelin superior të lojës që zhvilluan shkodranët pavarësisht një lojtari më pak në fushë.
Shumëkush në Shkodër “kryqëzoi” Aralicen për veprimin e tij dhe që la skuadrën me 10 lojtarë. Duke e cilësuar si një gabim trashanik dhe të panevojshëm.
Forma që po kalon 25-vjeçari nuk është më e mira e mundshme në javët e fundit. Rastet e shpërdoruara një pas një, u vulosën edhe nga ky ndëshkim në ndeshjen e fundit.
Por patjetër ndaj tij duhet të ekzistojë mbështetja. Çdo futbollist bën gabime në fushë dhe nuk kalon një moment të mirë gjatë sezonit.
Shembulli perfekt është Ngo’o, i cili dje gjeti golin në fitoren 0-2 të Tiranës kundër Egnatias që pas javës së parë kundër Skënderbeut. Pra duhet dhënë mbështetja e duhur që çdo futbollist të kalojë “krizën” personale.
Aralica deri në këto momente të kampionatit ka shënuar 4 gola, ku së bashku me Da Silvan janë shënuesit më të mirë të Vllaznisë. Dhe shpresat e tifozëve për të gjetur golin nga këta dy futbollistë janë gjithmonë të mëdha.
Endri ÇINARI