Java e 33-të e Superiores do e gjejë Vllazninë sot në përballje me Kukësin. Shkodranët që prej thuajse një faze janë në “errësirë” për shkak të lojërave dhe rezultateve jo shumë pozitive, kanë një finale përpara. Luhet direkt për Europën, ku një sukses i mundshëm i secilës prej skuadrave do i jepte një bonus shumë të madh.

Vetëm 1 fitore kundër Skënderbeut në shifrat 1-0 numëron Vllaznia në 9 javët e fundit. Shumë pak dhe shifra shqetësuese për një skuadër që u ndërtua për gjëra të mëdha në fillim të edicionit. Por gjithsesi shkodranët ende kanë çdo gjë në dorën e tyre. Partizani i vendit të tretë është vetëm 3 pikë larg në kuotën e 49 të tillave.

Ndërsa Kukësi është në kuotë të barabartë pikësh me kuqeblutë në kuotën e 46 të tillave. Një fitore sot kundër verilindorëve do godiste edhe psikologjikisht skuadrën e drejtuar nga Longo. Që realisht në këtë periudhë edhe ata kanë pasur problemet me rezultatet e dobëta në kampionat.

Tashmë si shumë herë në këtë kampionat, çdo gjë varet nga vetë këmbët e futbollistëve të Vllaznisë. Përpara tifozerisë dhe në qytetin e stadiumin e tyre duhet të dinë të dalin nga kriza e gjithë këtyre javëve dhe të rikthehen tek sukseset përballë kundërshtarëve direktë si Kukësi.