Gjysma e parë e kampionatit shqiptar është mbyllur dje me ndeshjet e rradhës së javës së 18-të. Tashmë ekipet mund të bëjnë bilancet e tyre dhe të shikojnë se çfarë kanë arritur deri në këtë pikë të sezonit. Kështu statistikat e dy fazave të para konfirmojnë renditjen tabelare të skuadrave.

Tirana e vendit të parë me 40 pikë është sulmi më i mirë i kampionatit me 33 gola të shënuar pas 18 javëve. Sulmi i dytë më i mirë është ai i Kukësi me 30 gola e ndërsa Laçi kompleton podiumin me 29 rrjeta. Vllaznia nga ana e saj qëndron pas treshes së parë me 25 gola në favor.

Përsa i përket skuadrave që kanë shënuar më pak ato janë: Kastrioti dhe Dinamo me nga 12 gola dhe Egnatia e Skënderbeu me nga 13 gola secila. Gjithashtu edhe përsa i përket mbrojtjeve më të mira kryeson Tirana me 11 gola të pësuar. Pas bardhebluve vijnë Laçi dhe Partizani me nga 16 të pësuar dhe Vllaznia me 17 gola të pësuar deri në këto momente.

Skuadra që ka pësuar më shumë gola në këto 18 javë është Kastrioti me 30 të tillë. Pas krutanëve vjen Egnatia me 25 ndërsa çuditërisht treshen e mbrojtjeve më të dobëta e kompleton Teuta me 24 gola të pësuar. Përsa i përket golashënuesve Guindo i Laçit dhe Seferi i Tiranës janë më të mirët në kampionat deri më tani me nga 10 gola secili.
Endri ÇINARI