Milionat që qarkullonin në botën e futbollit të lënë të mendosh se lojtarët e elitës, ata që përfitojnë shuma të çmendura, shpenzojnë pa fund dhe nuk shqetësohen. Por për mbrojtësin brazilian te Juventusit, Aleks Sandro, gjtihçka është ndryshe. Futbollisti ka treguar në një intervistë për mediat në Brazil se meqë është rritur në “favela”, lagjet e të varfërve në Brazil, ka mësuar të vlerësojë më shumë paratë.
“Kur shkova te Ateltiko Panaraense isha 15 vjeç dhe fitoja 100 dollarë në muaj. Klubi më siguronte gjithçka: shtëpinë, ushqimin, shkollën. Shpenzova 50 dollarë dhe ruajta 50 të tjerët. Pas fitores time të parë, mblodha 300 dollarë dhe ua dhashë prindërve të mi që të mund të lyenin shtëpinë tonë. Mund të blija çdo gjë, por duhej të ndihmoja familjen”, ka treguar ai.
“Tani shumë shpesh dal me familjen dhe shpenzoj 300 apo 400 euro, por pastaj pyes veten se sa do të vlente një shifër e tillë në Brazil për shumëkënd. Ndjehem pak keq që shpenzoj kaq shumë për një natë. Më thonë vazhdimisht që nuk duhet të mendoj gjëra të tilla e të gëzoj jetën, por dua edhe të ndihmoj të tjerët. Shumë fëmijë që u rritën me mua në Katanduva përfunduan në rrugë të keqe e sot janë në burg apo edhe të vdekur. Duhet të jesh gjakftohtë dhe të ndjekësh shembuj të mirë. Nëse sforcohesh shumë, mundësitë do të të shfaqen, ashtu siç m’u shfaqën mua”, tregoi Aleks Sandro./vipsport/