remtime, përplasje, dy firma nën kontratë, ndonjë rinovim, por sërish në Shkodër nuk ka një dritë jeshile për Vllazninë e sezonit 2019-2020. Rikthimi në Kategorinë Superiore e ka gjetur klubin shkodran në pikën më kritike, nisur edhe nga tranzicioni i ndryshimit të pushteteve në bashki.
Duke qenë e administruar 100% nga Bashkia e Shkodrës, Vllaznia po vuan shumë për organizimin e skuadrës për sezonin e ri. Stafi drejtues i klubit, e më konkretisht administratori Suad Lici dhe drejtori sportiv, Engin Firat, po kërkojnë që të ndërtojnë skuadrën për sezonin e ri.
U fol shumë se pas Herald Markut dhe Dajan Shehut, që vijnë nga Kastrioti, do të kishte emra të tjerë lojtarësh që do të firmosnin. Mirëpo, puna për ndërtimin e skuadrës ka ngecur dhe ajo që bën përshtypje, është mungesa e një date për nisjen e përgatitjeve.
Aktualisht, Vllaznia është pa trajner dhe, me sa duket, dëshira e drejtuesve për të nisur përgatitjet me zv.trajnerët që mbyllën sezonin, Safet Osja dhe Ideal Lekiqi, ka rënë si pistë. Drejtuesit e klubit menduan se, duke nisur stërvitja, edhe gjërat e tjera do të vinin duke u rregulluar. Por, gazeta mëson se deri dje as pjesëtarët e stafit teknik të sezonit të fundit nuk janë lajmëruar se kur do të nisë puna. Kjo tregon se situata është kritike në të gjitha aspektet.
PROBLEMET
Financat mbajnë të bllokuar klubin. Pagesat e lojtarëve dhe stafit kanë qenë një problem më vete, pasi llogaritë bankare të klubit kanë qenë të bllokuara. Ndërsa, të tjera shpenzime që janë grumbulluar gjatë gjysmës së dytë të sezonit ende nuk mësohet të kenë marrë zgjidhje përfundimtare.
Megjithatë, kjo nuk duket se është një shqetësim kryesor për nisjen e punës. Bllokimi për kuqeblutë, me sa duket, po vjen prej deklaratës së kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë, Valdrin Pjetri, i cili paralajmëroi gjatë një konference për shtyp administratorin Suad Lici. Kjo ka ndikimin e vet te marrëvesh jet që drejtuesit e klubit kanë me lojtarë të tjerë që kërkojnë t’i kenë pjesë të ekipit.
Vllaznia ndihet e bllokuar edhe në caktimin e numrit një të pankinës. Emri i Agim Canajt për të drejtuar Vllazninë për këtë sezon është drejt sfumimit. Trajner i huaj apo vetë drejtori sportiv, turku Engin Firat, duken më të mundshmit për të drejtuar ekipin. Në një presion të madh aktualisht është vetë administratori Lici, të cilit i duhet të zhbllokojë këtë situatë dhe ta kthejë Vllazninë në normalitet, por me bashkinë e re, as ai nuk e ka vendin të sigurt.