Dushan Vlahoviç po mbyll një vit 2021 të jashtëzakonshëm. Me 33 golat e shënuar në një vit kalendarit, lojtari ka barazuar Kristiano Ronaldon në Serinë A dhe duket i pandalshëm në dëshirën e tij për t’u bërë një yll.

Po ashtu si portugezi, ai është fiksuar pas përgatitjes fizike dhe ditën e Krishtlindjeve e ka kaluar duke u stërvitur. Gjithçka e dokumentuar me postime në rrjetet sociale për ndjekësit e tij që shtohen dita-ditës, ashtu si klubet e interesuara për shërbimet e lojtarit i cili është në fund të kontratës me Fiorentinën.

Interi dhe Milani e kanë kërkuar lojtarin prej kohësh, ndërsa në periudhën e fundit edhe Totenhem pas insistimit të Kontes bëri një ofertë të rëndësishme për sulmuesin e ri.

Por mediat italiane bëjnë të ditur se Dushan Vlahoviç ka zgjedhur Juventusin si destinacionin e tij të ardhshëm dhe është gati të transferohet në radhët e bardhezinjve, jo në janar, por në verë.

Ndaj Juventusi ka 6 muaj kohë që të bëjë gati 70 milionë eurot që nevojiten për të siguruar firmën e tij nga Fiorentina, e cila sigurisht që kërkon të përfitojë maksimalisht nga ajo që po tregon lojtari.