✍️ Shkruar nga Klaudio Ndreca

Shkodra e bukur, Shkodra e qytetarisë, Shkodra e humorit, e batutave, e njerëzve të qeshur, por këtë herë pamë edhe Shkodrën e ironisë, e pasionit dhe e guximit. Nëse kërkon ta bësh një punë, bëje me gjithë pasionin tënd ose më mirë, lëre…

Fiks si rasti i Edi Martinit, në Shkodër e donin një “djal qyteti” si trajner jo sepse e ndiejnë veten më superior se të tjerët, por sepse e dinë që zemra u dhemb më shumë se të tjerët. Dhe kjo ishte konferenca për shtyp e sotme e trajnerit Martini. Me vetullat e ngrysura dhe pak nervozizëm të shfaqur në fytyrë (e pamundur të fshihej), shkodrani foli hapur dhe me shumë guxim.

Askush nuk mund të bëjë ironi me Vllazninë, tani kemi Zot dhe i dalim për Zot vendit tonë! Trajneri Tetova mes elegancës dhe batutës e nisi vetë vallëzimin i pari duke provokuar pak situatën te shkodranët pasi insinuoi se arbitrat po e ndihmonin Vllazninë. Një hedhje e parë dorashke që nëse nuk do të merrte përgjigje, do të pasonte nga të tjera.
Pikësëpari, çdo insinuim ngre të tjera alibi në të ardhmen se Vllaznia është e favorizuar duke i ulur të gjithë punën trajnerit Martini dhe gjithë pjesës tjetër të ekipit. Për sa kohë preket familja e tij, puna e tij, përse Martini duhet të qëndrojë “butë”?

Nuk ka asnjë arsye, ndërsa nga ana e marketingut dhe aspekti mediatik, ishte një kryevepër. Telekomandën në dorë dhe ndizni televizorin, spektakli sapo filloi, kokoshkat janë sipas dëshirës.

Përveç një niveli jo të lartë të futbollit në fushë, përveç faktit se nuk kemi shumë lojtarë klasi në Superiores, as ambienti nuk po vlonte prej vitesh. Gjithmonë trajnerët dilnin me deklaratat e tyre të mërzitshme dhe të dala boje e mode: “Ndeshja e radhës, më e rëndësishmja”. A thua se po luan Real Madrid-Barcelona dhe këto fjalë mjaftojnë për të mbushur stadiumin?

Tani deklaratat e tilla, si ajo e Martinit, por edhe ajo e Tetovës, e ngrenë më shumë stekën dhe atmosferën e futbollit tonë. Ndeshja e radhës, Vllaznia-Dinamo dhe Vllaznia-Egnatia, do të jetë me një stadium të stërmbushur dhe me mediat që do t’i japin një vëmendje akoma më të madhe nga më parë.
Sepse futbolli do të ishte i vdekur pa anën mediatike, pa reklamimin, e parë nga kjo anë, edhe futbolli i luajtur jashtë fushe ka një peshë të jashtëzakonshme në komentimin dhe shitjen e Superiores. Tani po luhet edhe jashtë fushës në Superiore.

Ilir Daja, më i përmbajtur dhe asnjëherë në intervista, por edhe trajneri i Dinamos kur nuk merr rezultatin e kërkuar, i ka disa shpërthime që hera-herës janë me sytë e mjegulluar. Merr përpara gjithçka gjen dhe nuk pyet shumë për efektin, është Ilir Daja, njeriu që ka bërë sukses prej vitesh dhe e bën akoma suksesin, gjithçka tjetër i falet. Flasim nga ana jonë si gazetarë dhe sportdashës sepse të tjerët reagojnë.

Kjo lëvizje e Edi Martinit mund të quhet driblimi më i bukur i lojës pa top, iu iku në krahë të dyve për pak sekonda, Dajës dhe Tetovës. A do ta arrijnë t’ia rimarrin sërish topin? Por le ta lëmë pak futbollin dhe ta shohim këtë çështje si një lojë basketbolli. Albano Aleksi, i shumëkomentuari i asaj feste kundër Vllaznisë, ndoshta si edhe me dëshirën për të fshehur sadopak atë festë të tepruar ndaj shkodranëve, tha në “Kubi Sportiv” me Drilon Xhepollarin:

“Nuk iu drejtova Vllaznisë, por presidencën së Egnatias, për t’i treguar që jemi këtu dhe nuk na mundin dot kollaj”. Dhe përgjigja e sotme e Martinit lidhej pikërisht me këtë temë, teksa u shpreh: “Mënyra si ata komunikojnë pas ndeshjeve, në intervista dhe konferenca për shtyp janë shumë të trembur sepse e dinë që ne jemi këtu dhe jemi më të mirë se ata”.

Nëse do të ishte një lojë basketbolli në distancë kjo mes Aleksit dhe Edi Martinit, mund të thuhet se trajneri i Vllaznisë bëri një tre pikësh nga distanca me një top të gabuar të Aleksit. Aleksi ka formën më të mirë, por Martini ka klasin e përjetshëm, dueli vazhdon, por shijon më shumë sesa më parë…. /Sport Ekspres/