Vllaznia u mund dje në Laç 0-1 nga skuadra vendase, por nga mënyra si u zhvillua loja, ajo kurrsesi nuk e meritonte të dilte e humbur nga kjo ndeshje. Ndeshja e djeshme në mes Laçit dhe Vllaznisë u shoqërua me shumë polemika nga kampi shkodran, të cilët akuzuan gjyqtarin Eldorjan Hamiti për gjykim të njëanshëm dhe dashakeqës ndaj tyre.

Në fakt, Vllaznia ankohet me të drejtë. Nga analiza e kryer me pamje filmike dhe përsëritje të momenteve, del se kryesori Hamiti, si dhe gjyqtarët në VAR, kanë gabuar. Rrjedhimisht me këto gabime kanë ndikuar në rrjedhën e ndeshjes, pse jo edhe në rezultat.

Nga sa shihet, goli i Vllaznisë është anulluar me të padrejtë. Në fakt, sipas rregullores, por edhe aq sa shikohet nga pamjet filmike, pasi nuk duket shumë qartë prekja e topit nga Da Silva del se gjyqtari Hamiti dhe ata të dhomës VAR kanë gabuar, pasi goli nuk duhej anuluar.

Me rregullore kur ai që jep assist për autorin e golit e prek jo me qëllim topin me dorë, që në këtë rast nga pamjet del se topi fillimisht ka prekur në trup pastaj në dorë, goli nuk anullohet.

Gabimi tjetër te ky gol është ndërhyrja e VAR-it pa vërshëllyer gjyqtari Hamiti. Me protokoll VAR-i nuk ndërhyn në raste të tilla, kur gjyqtari nuk e ka vlerësuar rastin duke vërshëllyer dhe ndalur aksionin. Pra, gjyqtarët në kompleks kanë gabuar me anullimin e golit.

Në fakt, Hamiti nuk është i paaftë, sepse është një gjyqtar i FIFA-s dhe një nga më të mirët në Shqipëri, por ajo që ai bëri dje është një padrejtësi e madhe ndaj një klubi dhe ndaj një tifozërie të flaktë në shkallët e stadiumit, teksa e kthen atë automatikisht në një “armik” të Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI