Vllaznia do të luajë nesër një transfertë delikate në Laç, pikërisht aty ku nisi këtë kampionat me një fitore spektakolare, 3-5. Trajneri Thomas Brdariç i ka bërë llogaritë për këtë takim me dy mungesa të sigurta, pikërisht mbrojtësin Mevlan Adili për shkak kartonësh dhe mesfushorin Ardit Hoxhaj për shkak dëmtimi.
Mirëpo, në këtë ndeshje rikthimet janë shumë të rëndësishme dhe bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Fallou Diagne, si dhe fantazistin brazilian, Victor Da Silva. Në përgatitjet e fundit anti-Laçi, Brdariç ka provuar formacionin që do të hedhë në fushë ditën e nesërme.
Nga ajo që është vënë re në seancat e zhvilluara në fushën “Reshit Rusi”, janë disa lëvizje që Brdariç ka projektuar. Nga mbrojtja në sulm, Vllaznia pritet të jetë ndryshe në Laç, gjithnjë duke e krahasuar me skuadrën që luajti kundër Kastriotit.
Me Zogoviç të paprekshëm, mbrojtja do të pësojë vetëm një ndryshim. Në vend të Adilit të pezulluar do të luajë Diagne në qendër, në krah të malazezit Bulatoviç.
Ndërkohë, pjesa tjetër rikonfirmohet me Gurishtën në të djathtë dhe Hakajn në të majtë. Ndaj Kastriotit, Brdariç luajti me tre mesfushorë tipikë përpara mbrojtjes, pikërisht Krymin, Jonuzin dhe Heriç. Ky i fundit pritet të ulet në stol tashmë dhe për një vend do të luftojnë Kruja dhe Mustedanagiç, teksa gjasat janë që ky i fundit ta nisë nga fillimi.
Mirëpo, në Laç skema pritet të ndryshojë, duke u bërë 4-2-3-1, teksa boshnjaku ka më shumë shanse për të qenë titullar. Në repartin e sulmit, më konkretisht në majë të ofensivës do të vendoset Gjurgjeviç. Maqedonasi do të mbështetet nga Latifi dhe Da Silva.
Skema 4-2-3-1 mund të përkthehet edhe si 4-3-3. Nuk përjashtohet mundësia që Brdariç të bëjë edhe një tjetër lëvizje për këtë takim.
Një mundësi është aktivizimi i Krujës në krahun e djathtë të sulmit dhe spostimi i Da Silvës pas sulmuesit, duke ulur në stol boshnjakun Mustedanagiç. Gjithsesi, Brdariç duket se i ka fiksuar titullarët në mendjen e tij, teksa e vetmja dilemë duket se është Kruja apo Mustedanagiç.
Ashtu siç e pohoi edhe vetë në konferencën e sotme për shtyp, tashmë trajneri gjerman është i qetë, pasi me vendosjen e tapetit të ri në “Reshit Rusi”, po punon edhe më shumë faktikisht me skuadrën, duke pasur kushtet e duhura për të provuar vendosjen e ekipit në fushë.
Maringlen ZHIVANI