Sonte 13 lojtarë francezë do të luajnë kundër Marokut dhe rrjedhimisht ndaj rrënjëve të tyre, pak a shumë të thella afrikane. Pothuajse të 13 francezët afrikanë të Didier Deschamps kanë lindur dhe janë rritur në Francë, pothuajse të gjithë janë krenarë për origjinën e tyre, shumë prej tyre ruajnë shijet dhe zakonet e origjinës, për sa i përket ushqimit, muzikës dhe më shumë’ por ata janë francezë dhe ndihen francezë. Ato do të këndojnë himnin, “Marseillaise”.
Baza multietnike e kombëtares franceze nuk është më lajm, konsiderohet e natyrshme, edhe nëse mbeten “xhepat” e racizmit. Vetë lojtarët e Deschamps pretendojnë se janë francezë dhe tashmë në Botërorin e kaluar kishin refuzuar etiketimin e Francës afrikane. Franca dhe kaq… Argumenti mund të kthehet pas. Disa futbollistë marokenë kanë lindur diku tjetër. Portieri Bounou në Kanada, në Montreal. Cheddira në Itali, në Loreto. Disa në Holandë e kështu me radhë.
Është kurioze, megjithatë, që Maroku, kombëtarja e parë afrikane e cila arrin në gjysmëfinale të një Kupe Bote, përplaset me Francën e francezëve me prejardhje afrikane. “Kjo gjysmëfinale e Kupës së Botës, – tha Jay-Jay Okocha, dribluesi i paharrueshëm i Nigerisë në tri Kupat e Botës, – i ngjan një finaleje të Kupës së Kombeve Afrikane”. Në “Katar 2022”, duke lënë mënjanë Marokun, Afrika tashmë ka marrë njëfarë kënaqësie qysh në fazën e parë.
Tunizia mundi Francën dhe Kameruni mundi Brazilin. Ata që zhgënjyen ishin Senegali dhe Gana. Kombëtarja franceze multietnike daton nga larg. Raoul Diagne ishte lojtari i parë me ngjyrë që luajti për Francën në vitet 1930. Ai erdhi nga Guiana Franceze, një nga Territoret e Jashtme të Francës, të cilat ende ekzistojnë dhe janë një rezervuar tjetër i futbollit.
Në territoret e shpërndara nëpër oqeane, katër lojtarë nga kombëtarja e Deschamps në Katar kanë origjinë pak a shumë të largët. Ata janë Varane, Areola, Coman dhe Marcus Thuram, djali i Lilian, kampion bote në vitin 1998. Rreth katër milionë qytetarë franko-afrikanë jetojnë në Francë, duke përfshirë territoret e saj jashtë shtetit, por ndoshta shifra është e ulët.
Sipas disa analistëve, 40 për qind e popullsisë franceze në tri gjeneratat e fundit, një periudhë rreth gjysmë shekulli, do të kishte një ose më shumë komponentë të lidhur me Afrikën. Fenomeni mund të shpjegohet me emigrimin nga ish-kolonitë franceze në Afrikë. Gjatë shekujve, Franca ka sunduar një perandori të pakufishme, midis Azisë, Afrikës dhe Amerikës.
Lista e vendeve afrikane që flasin frëngjisht, shtete në të cilat flitet ende frëngjishtja, është shumë e gjatë: Kameruni, Bregu i Fildishtë, Mali, Algjeria, Tunizia dhe vetë Maroku. Rreth 150 milionë afrikanë flasin, kuptojnë ose lexojnë frëngjisht. Lidhja gjuhësore mbetet e fortë, pavarësisht se kolonitë nuk ekzistojnë më.
Në shekullin e 20-të, Maroku ishte protektorat francez për një kohë të gjatë dhe u bë shtet autonom vetëm në vitin 1956. Në Algjeri, lufta e pavarësisë nga francezët zgjati nga 1954 deri më 1962 dhe kushtoi pothuajse 30.000 të vdekur. Moderniteti e ka zhvendosur çështjen në fushën e ekonomisë. Maroku është sot vendi afrikan tek i cili Franca devijon numrin më të madh të investimeve.
Kylian Mbappé e ka babain me origjinë nga Kameruni dhe nënën nga Algjeria. “Unë jam krenar për origjinën time afrikane, – tha ai vite më parë. – Një nga modelet e mia ishte George Weah (ish-sulmues i Milanit, tani president i Liberisë)”. Mbappé mund të kishte luajtur për Kamerunin ose Algjerinë, por zgjodhi Francën pa hezitim, vendin ku ka jetuar gjithmonë dhe ku ndihet pjesë e tij deri në themel.
Emmanuel Macron, presidenti i Republikës, e ka përfshirë atë në më shumë se një nismë publike. Një tjetër temë janë vështirësitë e Afrikës, në çdo nivel. Disa muaj më parë, francezi Arséne Wenger, ish-trajneri i Arsenalit, anëtar i komisionit teknik të FIFA-s, u shpreh kështu për Mbappe: “Ai është stërvitur në Evropë. Nëse do të kishte lindur në Kamerun, nuk do të ishte bërë kampioni që është sot”./telesport/