Drita e Gjilanit në Kosovë është në kërkim të një “timonieri” të ri në krye të pankinës dhe së shpejti, klubi kosovar do të vendosë për trajnerin e ri të skuadrës dhe mësohet se një gjë e tillë do të ndodhë përpara vitit të ri. Së fundmi, “Shkodra Sport” ka mësuar nga gazetarë kosovarë dhe burime të sigurta brenda klubit kosovar se, emri kryesor për postin e trajnerit të ri është tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa.

Në fakt, Josa e njeh mjaft mirë ambientin në Kosovë dhe futbollin atje, duke qenë se edhe më parë, ai ka punuar në Kosovë në vitet 2017-2019 te Prishtina, teksa momentalisht është në drejtimin e Vllaznisë, ku në 13-javë të Abissnet Superiore ka arritur pesë fitore, katër barazime dhe katër humbje.

Nga sa mësohet nga “Shkodra Sport”, trajneri Josa po kërkohet tek Drita që ta drejtojë këtë ekip edhe sezonin e ardhshëm, jo vetëm këtë pjesë të mbetur të sezonit. Drejtuesit e klubit kosovar e kërkojnë pikërisht trajnerin kryeqytetas, duke qenë se ai ka një stil të përafërt loje me trajnerin e mëparshëm, Ardian Nuhiu.

Megjithatë, në vazhdim mbetet për t’u parë se sa do të jetë i gatshëm Josa të lërë Vllazninë dhe të shkojë të drejtojë në Kosovë ekipin e Dritës. Në fakt, gjilanasit janë një ndër klubet më korrekte në Kosovë, sa i takon pagave dhe pjesës tjetër të hallkave të funksionimit të klubit, por një gjë e tillë mbetet për t’u parë në vazhdim.

Realisht, se sa mund të realizohet një lëvizje e tillë mbetet për t’u parë, pasi nga ajo që mëson “Shkodra Sport”, trajnerin Josa nuk e ka kontaktuar askush deri në këto momente që flasim, por nga ana tjetër, drejtuesit e Dritës e shikojnë si kandidatin kryesor trajnerin e Vllaznisë për drejtimin e klubit të tyre.

Kujtojmë këtu se, Drita ka mbetur pa trajner pas largimit të Ardian Nuhiut pak javë më parë dhe trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, shikohet si kandidati kryesor për marrjen e drejtimit të ekipit gjilanas, duke qenë se ai ka një stil të përafërt loje me teknikun e mëparshëm kosovar.
Maringlen ZHIVANI