KF Tirana ka zyrtarizuar largimin e 9 futbollistëve nga skuadra, duke ndërmarrë një lëvizje të fortë në mesin e sezonit. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, klubi bëri të ditur se Dembele, Zhunior, Valerianos, Soler, Gjumsi, Tola, Kozi, Patsatsia dhe Fernandez nuk do të jenë më pjesë e organikës bardheblu.
Sipas deklaratës zyrtare, largimet janë realizuar me marrëveshje të përbashkët dhe synojnë riorganizimin e ekipit për përballjen me sfidat e ardhshme. Klubi thekson se fokusi do të mbetet te përmirësimi i performancës, rritja e unitetit dhe arritja e rezultateve pozitive.
Megjithatë, ky vendim vjen në një moment delikat për Tiranën, e cila po përjeton një nga sezonet më të dobëta të viteve të fundit. Kryeqytetasit ndodhen në vendin e fundit të renditjes me vetëm 10 pikë të grumbulluara, pas 18 javësh kampionat. Bilanci prej një fitoreje, shtatë barazimesh dhe dhjetë humbjesh reflekton qartë vështirësitë e mëdha të skuadrës.
Për një klub me histori dhe peshë në futbollin shqiptar, këto shifra janë larg pritshmërive, ndërsa riorganizimi i thellë i ekipit shihet si një përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e sezonit dhe për të shmangur pasoja edhe më të rënda në vazhdim.


