Duke pasur parasysh se është rritur duke luajtur futboll në Angli dhe tashmë është i njohur me kërkesat e Ligës Premier, një rikthim në Ishull duket një hap logjik në zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së mesfushorit 25-vjeçar, Felix Nmecha.
Analisti i Sky Sports, Didi Hamann, paralajmëroi së fundmi Borussia Dortmund, në lidhje me lojtarët që duan të largohen.
“Dortmundi duhet të jetë i kujdesshëm që të mos krijojë një atmosferë ku lojtarët përpiqen të braktisin një anije që po fundoset sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ai.
Ky paralajmërim lidhet me të ardhmen ende të pasigurt të Nico Schlotterbeck, por edhe Nmecha, titullar i rregullt nën drejtimin e Kovac, mund të kërkojë një sfidë të re gjatë verës.
Mesfushori gjerman është në radarët e Manchester City, të cilët po shqyrtojnë një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të verës, sipas mediave gjermane.
Nmecha nuk është i panjohur për Etihad, pasi ka kaluar më parë në akademinë e të rinjve të Man Cityt para se të largohej në 2021 në kërkim të më shumë minutave në fushë.
Pas periudhës te Wolfsburg, ai bëri një hap të rëndësishëm te Borusssia Dortmund, duke u profilizuar si një lojtar i rëndësishëm i ekipit të parë.
Përveç Man Cityt, edhe Manchester United, Chelsea dhe Tottenham janë të interesuar, gjë që mund të krijojë një betejë të fortë për shërbimet e tij gjatë afatit kalimtar veror.
Borussia Dortmund, megjithatë, nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e mesfushorit të tyre kryesor lehtësisht dhe mund të kërkojë rreth 70 milionë euro, pothuajse dyfishin e shumës që pagoi Wolfsburgut në vitin 2023. /Telegrafi/


