Shkruar nga Endri ÇINARI
Tashmë që merkato e janarit është e hapur, lëvizjet e futbollistëve nga një ekip në tjetrin janë shumë të pritshme. Me lojtarë që mund të ndërrojnë skuadrat, në varësi edhe të objektivave apo edhe atyre çfarë iu afrohet. Kështu një futbollist shkodran i cili duket se do ketë një dimër të “nxehtë” është Geralb Smajli.
Mbrojtësi i cili aktivizohet që nga vera e vitit 2024 në rradhët e Ballkanit, ku u transferua nga Vllaznia, mund të ndryshojë skuadër në janar. Për 23-vjeçarin prej disa kohësh diskutohet për një transferim jashtë gadishullit ballkanik, ku destinacionet më të mundshme kanë qenë Hungaria dhe Çekia. Por, të cilat nuk u konkretizuan gjatë merkatos verore, si shkak edhe i pretendimeve të larta financiare nga ana e klubit nga Suhareka, shkruan Gazeta “Shkodra Sport”.
Por, duket se gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë Smajli mund t’a ketë më të lehtë një transferim në një kampionat të huaj. Megjithatë duket se admiruesit për futbollistin shkodran nuk mungojnë as në Superiore. Nga ajo çfarë mëson gazeta, dy janë klubet që po këmbëngulin më shumë për Smajlin dhe ato janë Elbasani dhe Teuta. Të cilat shohin një përforcim shumë me vlerë për skuadrat e tyre në krahun e djathtë të mbrojtjes, me një element që garanton siç është Smajli.
Gjithashtu edhe Tirana ka kërkuar informacione për ish-futbollistin e Vllaznisë, megjithëse inetresi i bardhebluve nuk duket edhe aq i fortë sa i dy klubeve të sipër përmendura. Por, pavarësisht ofertave dhe interesit nga ana e klubeve të ndryshme, duhet bindur edhe Ballkani që zotëron kartonin e mbrojtësit. Ku këtë sezon, Smajli është aktivizuar në 15 ndeshje me klubin portokalli në Superligën e Kosovës, duke dhuruar edhe një asist e për më tepër një mori ndeshjesh të një niveli shumë të lartë, që kanë tërhequr edhe vëmendjen e skuadrave të ndryshme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


