Superliga e futbollit në Shqipëri do zhvillojë sot 3 ndeshje të javës së 33-të. Përjashtim nuk bën as Vllaznia që do presë në orën 19:45 ekipin e Kukësit në Shkodër. Një duel direkt për Europën do luhet në Shkodër. Dy ekipe që nuk kanë shfaqur nivelin e tyre më të mirë në periudhën e fundit, por që kanë objektiva madhorë.

Trajneri Longo i verilindorëve duket se është në “fije të perit” dhe kjo sfidë kundër shkodranëve mund të vendosë shumë për të. Kështu duket se ai ka formatuar edhe formacionin që do jetë në fushë sonte. Në portë pritet Xhika, i cili pavarësisht se Tafas është rikthyer në stërvitje pas dëmtimit, pritet si titullar. Mbrojtja do ketë mungesën e Ndreces që pritet të zëvendësohet nga Musta.

Po ashtu Gligorov në të djathtë dhe Pëllumbi e Lulaj në qendër do kompletojnë repartin. Mesfusha do ketë një mungesë të rëndësishme si De Lucas. Vendin e spanjollit pritet ta mbulojë Shqiprim Taipi që i mbështetur nga i vëllai Gjelbrim Taipi dhe Milunovic priten të jenë titullar.

Në sulm dyshja Basa dhe Feijao do jenë në mbështetje të Bahtirit. Ky do jetë një takim shumë i rëndësishëm për kuksianët që Europën e kalojnë nëpërmjet Vllaznisë dhe “Loro Boriçit”.
Endri ÇINARI