Sezonit futbollistik në vendin tonë po i vjen fundit në të gjitha llojet e kategorive dhe moshave, e ndërsa kanë ngelur edhe disa ndeshje të fundit për të zyrtarizuar gjithçka. Një nga duelet e mbetura është edhe finalja e kupës së Shqipërisë për U-17 mes Vllaznisë dhe Tiranës. Dy skuadrat që do jenë përballë ditën e sotme në orën 17:00.

Me finalen që do luhet në stadiumin ‘Niko Dovana’ të qytetit të Durrësit, pritet një duel shumë interesant mes dy skuadrave më të mira të kësaj grup moshe në vendin tonë. Vllaznia patjetër do kërkojë një dopietë trofeshë këtë sezon, ku pas triumfit në kampionat para pak ditësh, do kërkojë ta përsërisë diçka të tillë edhe në kupë.

Kjo edhe për të ripërsëritur suksesin edhe të sezonit të shkuar të 17-vjeçarëve, që fituan kampionatin dhe kupën. Gilman Lika, trajner i 17-vjeçarëve kuqeblu patjetër do kërkojë maksimumin nga skuadra e tij, që pavarësisht se ka dominuar kampionatin, përballë do ketë një kundërshtar goxha të fortë.

Edhe Tirana në vitet e fundit ka pasur ekipe shumë të organizuara tek moshat dhe që i kanë bërë konkurrencë të gjithëve. Megjithatë ditën e sotme në Durrës është një finale për tu shijuar nga të gjithë futboll dashësit e me patjetër edhe për të evidentuar ndonjë element që mund ti vlejë futbollit shqiptar në të ardhmen.
Endri ÇINARI