Java e 14 e Kategorisë Superiore ka kthyer përsëri futbollin në shkallaret e stadiumeve pas një ndërprerje të detyrueshme si pasojë e tërmetit tragjik që goditi vendin. Pikërisht futbolli është munduar që të kthejë pak gjallërinë që dukej sikur mungonte në vendin tonë dhe protagonistët e Superiores kanë bërë që për pak orë njerëzit të harrojnë atë dramë të rëndë që përjetoi vendi ynë.
Në këtë javë të veçantë, VIP Sport ka përzgjedhur formacionin ideal duke u ndalur te paraqitjet e futbollistëve që kanë bërë diferencën në fushën e lojës jo vetëm me golat e tyre. Një rreshtim që tregon disa emra të cilët po bëhen gjithnjë e më shumë të rregullt mes më të mirëve të këtij edicioni në Superiore, pavarësisht pozitave që mbajnë skuadrat e tyre.
PROTAGONISTËT
Enea Koliçi – Skënderbeu / U desh një devijim i pafat i Ditës në minutën e 90 që të mposhtte portierin e korçarëve në Durrës dhe dëshpërimi i tij ishte i dukshëm. Dhuroi një recital pritjesh duke mbajtur në lojë deri në fund skuadrën e tij për një pikë e cila do të kishte qenë kryesisht meritë e portierit.
Edis Maliqi – Kukësi / I pandalshëm në krahun e djathtë gjatë ndeshjes kundër Tiranës. Shpejtësia e tij bëri që edhe Abazaj të përfitonte për të gjetur më shumë hapësira e për të rrezikuar sa herë që mbrojtësi dilte para në mbështetje të sulmit. Një nga pikat e forta për skuadrën e Duros në këtë sukses të rëndësishëm.
Rustem Hoxha – Teuta / Një paraqitje për t’u vënë në kornizë e mbrojtësit të Teutës që nuk i la thuajse asgjë sulmit të Skënderbeut në duelin e sotëm. Mbrojtësi bllokoi disa tentativa drejt katërkëndorit të tij e për më tepër edhe iu afrua golit në anën tjetër me një gjuajtje me kokë.
Renato Malota – Vllaznia / Zgjidh ndeshjen e Vllaznisë me Luftëtarin duke dalë në sulm në momentin e duhur e duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Zakonisht i jep qetësi ekipit në prapavijë, këtë herë edhe më shumë me një gol që largon shkodranët nga rreziku i rënies.
Edison Ndreca – Bylis / Rreshtohet pak më para se zakonisht, në mesfushë nga trajneri Dovedan, teksa shfaqet si një nga gjetjet e goditura të teknikut në duelin ndaj Partizanit pasi rezulton vendimtar në golin e parë e sidomos për të bllokuar Asanin para tij. Në këtë formë, për Dovedan do të jetë e vështirë ta mbajë jashtë formacionit në të ardhmen.
Julian Shehu – Laçi / Tregohet i qetë në momentin më vendimtar, duke i dhënë Laçit mundësinë që të kalojë në avantazh pas një pjese të parë ku vuajti për të gjetur rrjetën- Goditja që mposhti Moçkën është ajo që i dha qetësinë kurbinasve të cilët më pas dominuan pa probleme përballë ekipit vlonjat dhe ai ishte mes atyre që ndihmuan për të administruar më me qetësi lojën.
Kristal Abazaj – Kukësi / Pak nga pak po shfaqet Abazaj i cili u largua nga kampionati shqiptar si një nga zbulimet e Superiores dhe lojtar për kombëtaren shqiptare të futbollit. E pranon edhe vetë se nuk ka gjetur ende vazhdimësinë e ditëve më të mira, por te Tirana mund ta mendojnë ndryshe duke parë se nuk kishin zgjidhje për shpërthimet e tij këtë fundjavë.
Regi Lushkja – Laçi / Në çdo aksion ofensiv të Laçit është edhe gjurma e tij, ashtu si në golat që i dhanë qetësinë kurbinasve. Fitoi penalltinë nga erdhi goli i Nuabueze dhe ishte ai që gjuajti në portë në momentin e golit të Teko. Nëse Laçi vazhdon të marshojë në këto javë duke u bërë protagonist në luftën për titull, merita është padyshim edhe e 23-vjeçarit.
Enis Gavazaj – Kukësi / Më në fund gjeti edhe golin me Kukësin në kampionat, por sidomos një paraqitje e cila mund të duartrokitet nga fillimi deri në fund për një lojtar i cili është përballur me jo pak kritika që nga kthimi në Superiore. Ishte protagonist absolut i ndeshjes jo vetëm me golin, por edhe duke fituar penalltinë që solli barazinë në shifra. Te Kukësi me siguri janë të lumtur që pak nga pak po shohin frytet e investimit të rëndësishëm që bënë për ta afruar në ekip.
Lorenco Vila – Teuta / Sigurisht, goli i fitores ndaj Skënderbeut erdhi pas një devijimi, por gjesti teknik i djaloshit është për t’u duartrokitur. Nuk ka rëndësi se si shkon sezoni për Teutën apo me sa gola e mbyll Vila këtë edicion, ky ndaj Skënderbeut do të mbetet padyshim një nga golat më të rëndësishëm të karrierës së tij pasi nuk kishte vetëm vlerë pikësh.
Saliu Guindo – Bylis / Kur e larguan nga Skënderbeu, të gjithë e menduan një eksperiment të dështuar të korçarëve dhe kishte skepticizëm për të edhe pas 8 golave të shënuar në Kategorinë e Parë. Me 5 golat e shënuar deri tani, tre nga të cilët Kukësit, Tiranës e së fundmi Partizanit, po tregon se meriton më shumë vëmendje e se është një nga sulmuesit më interesantë të Superiores në këtë sezon. /VipSport/







