Mesfushori i Flamurtarit Ansi Nika nuk jep garanci nëse do të vazhdojë të qëndrojë me klubin kuqezi. Në një prononcim për “Gazeta Olle”, 29-vjeçari tregon se klubi vlonjat po kalon probleme të mëdha financiare dhe do të vendosë në ditët e ardhshme se çfarë do të bëjë në 2020.
“Te Flamurtari punët nuk po shkojnë mirë, është një situatë jo e mirë, por do të shoh si do të qëndrojnë punët e mbetura në ekip”, shprehet futbollisti shkodran.
Ndërkohë, Nika nuk e fsheh se ka oferta për të luajtur më tej. Ai tregon se dy skuadra të futbollit të Kosovës interesohen për të, por ai nuk jep emra konkretë.
“Aktualisht jam me pushime jashtë Shqipërisë. Menaxheri im po merret me punën e ofertave, por më ka thënë se janë dy klube të interesuara nga Superliga e Kosovës për shërbime të mia”, përfundon Nika.
Nika u transferua te Flamurtari në gusht duke ardhur nga ekipi i Gjilanit. Ai ka realizuar një gol në 7 ndeshje me ekipin kuqezi.
Flamurtari po kalon një nga periudhat më të errëta të historisë së tij. Bregdetarët renditen në vendin e fundit me 6 pikë dhe nuk kanë marrë asnjë fitore gjatë 17 ndeshjeve të para të këtij sezoni.
Largimet e lojtarëve nga skuadra për shkak të krizës financiare u përsëritën sërish dhe këtë sezon, ku Bajraktareviç, Mema dhe Nebihu vendosën të mos luanin më me ekipin vlonjat pasi nuk ishin paguar prej muajsh.