Në miqësoren e sotme ndaj Veleçikut, tek Vllaznia nuk janë aktivizuar të gjithë futbollistët. Stafi teknik ka lënë pushim disa prej tyre, kryesisht ata që kanë ndjerë shqetësime të vogla dëmtimesh.
Por nga ana tjetër, tek kuqeblutë në këtë ndeshje ka patur edhe një risi. Në pjesën e dytë është aktivizuar edhe një futbollist i huaj, i cili nga sa u mësua kishte ardhur për provë tek Vllaznia.
Bëhet fjalë për futbollistin nga Ekuadori Andres Salazar i cili luan në rolin e mbrojtësit të majtë. Nga sa mësohet ai është 23 vjeç dhe po kalon një provë tek ekipi shkodran.
Themi provë sepse dihet që merkatoja është mbyllur dhe nuk ka më vend për të, por nëse ai bind stafin teknik, nuk përjashtohet mundësia që në janar pastaj Vllaznia t’i ofrojë kontratë.
Paraqitja e këtij lojtari në 45 minutëshin e sotëm ku ai luajti, ka qenë përgjithësisht e mirë. Kishim të bënim me një futbollist që përveçse në lojën mbrojtëse, shquhet edhe për daljet e tij të shpeshta në krah dhe ndihmën që i jepte skuadrës në manovrën sulmuese.Me siguri që drejtuesit e klubit në ditët në vazhdim do të shprehen në lidhje me këtë futbollist dhe se çfarë do të bëhet me të.
www.shkodrasport.com