Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, atë të javës së 28-të të kampionatit ndaj Egnatias, një përballje që ka marrë tashmë trajtat e një “finaleje” të parakohshme për kreun e renditjes. Dy skuadrat që luftojnë direkt për vendin e parë do të matin forcat në një duel që mund të ketë peshë të madhe në garën për titullin, ndërsa në kampin kuqeblu vëmendja është përqendruar edhe te situata e mungesave.
Për shkodranët është e sigurt se në këtë takim nuk do të jetë i disponueshëm Charles Bismark. Sulmuesi ganez u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e fundit të kampionatit ndaj Flamurtarit, duke u detyruar kështu të mungojë në përballjen e radhës. Një mungesë e ndjeshme për repartin ofensiv të kuqebluve, pasi 24-vjeçari ka qenë një nga alternativat e rëndësishme në vijën e parë gjatë këtij sezoni.
Përveç mungesës së sigurt të Bismarkut, stafi teknik i Vllaznisë po monitoron me kujdes edhe gjendjen fizike të Erdenis Gurishtës. Zëvendëskapiteni i skuadrës vuan prej disa javësh nga një tërheqje muskulore që e pësoi në ndeshjen ndaj Bylisit, një problem që e ka mbajtur larg fushave në tri takimet e fundit mes kampionatit dhe Kupës.
Mungesa e 30-vjeçarit do të ishte një tjetër goditje për formacionin e shkodranëve, duke qenë se ai konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të prapavijës dhe një lider në dhomat e zhveshjes. Megjithatë, në kampin kuqeblu shpresojnë që mbrojtësi të mund të rikuperohet në kohë, ose të paktën të jetë një opsion për stolin në një sfidë kaq delikate për fatet e sezonit.
Përgjigjet përfundimtare mbi gjendjen e Gurishtës pritet të jenë më të qarta vetëm në orët e fundit para zhvillimit të duelit me Egnatian. Një ndeshje që premton intensitet të lartë dhe tension sportiv, pasi përballë do të jenë dy skuadra që synojnë majën e tabelës. Në një sfidë të tillë, çdo detaj mund të bëjë diferencën, ndaj te shkodranët shpresojnë që, pavarësisht mungesave, skuadra të paraqitet në nivelin e duhur për të mbajtur gjallë ëndrrën e titullit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


