Klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia- Tirana ka marrë vëmendjen e duhur sepse pas shumë kohësh edhe ekipi shkodran rikthehet të pretendojë dhe po kalon një moment të mirë, të cilën do të kërkojë ta tregojë edhe ndaj kampionëve në fuqi të vendit.

Dëshira e shumë tifozëve ishte për të qenë të pranishëm sot pasdite në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” por kjo është e pamundur si rrjedhojë e protokollit sanitar që ndalon tifozët në stadium si rrjedhojë e situatës së krijuar nga pandemia.

Por nga ana tjetër, ka edhe një personazh tjetër që duket se ka shprehur dëshirën të jetë në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi” për të ndjekur këtë ndeshje.

Bëhet fjalë për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka i cili mësohet se ka premtuar që do të jetë në stadium sot pasdite për të parë këtë klasike.

Në Shkodër mezi e presin këtë sfidë dhe për më tepër fitoren ndaj kundërshtarëve historikë por kanë frikë nga arbitrimi i Enea Jorgjit, por prania e presidentit Duka në tribunë, me siguri që do të jetë një garanci për një korrektesë maksimale nga ana e tij në arbitrim./SHKODRA-SPORT.COM/