Tuesday, January 13, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORENjë përballje ‘zjarri’, Vllaznia kërkon ‘revansh’ kundër Egnatias

Një përballje ‘zjarri’, Vllaznia kërkon ‘revansh’ kundër Egnatias

Shkruar nga Endri ÇINARI

Java e 19-të e sezonit 2025-26 të Superiores sjell një nga përballjet më të zjarrta të viteve të fundit të futbollit shqiptar: Vllaznia–Egnatia. Një duel që tashmë ka dalë nga kornizat e një ndeshjeje të zakonshme kampionati dhe është shndërruar në simbol të rivalitetit sportiv të 4–5 edicioneve të fundit, ku jo rrallë herë, pikërisht këto përplasje direkte kanë vendosur fatin e titullit kampion.

Në vitet e shkuara, bilanci ka folur më së shumti në favor të Egnatias. Rrogozhinasit kanë ditur të jenë më cinikë dhe më konkretë në momentet vendimtare, duke i shkaktuar Vllaznisë zhgënjime të mëdha, shpeshherë edhe në ndeshje që kanë pasur peshë direkte për kurorën e kampionit. Kuqeblutë, pavarësisht përpjekjeve dhe ambicieve, nuk ia kanë dalë t’a përmbysin këtë trend dhe kanë parë rivalët të festojnë në fund.

Por këtë sezon, historia kërkon të shkruhet ndryshe. Vllaznia vjen në këtë përballje me një motivim të dyfishtë: “hakmarrjen” sportive për disfatat e së shkuarës dhe kthimin e restos ndaj një kundërshtari që i ka qëndruar si pengesë në momentet më të rëndësishme. Përballja e javës së 19-të shihet si një pikë kyçe e sezonit, që mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në renditje, por edhe në ecurinë psikologjike të skuadrave në vazhdim.

Për shkodranët, llogaritë janë të qarta. Nëse duan të qëndrojnë realisht “në valle” për vendin e parë gjatë javëve të mbetura të kampionatit të rregullt, alternativa është vetëm një: fitorja. Çdo rezultat tjetër do ta vështirësonte ndjeshëm rrugëtimin drejt kreut dhe do t’i jepte Egnatias një avantazh të rëndësishëm, si në pikë ashtu edhe në aspektin moral.

Egnatia, nga ana tjetër, hyn në këtë ndeshje me qetësinë e skuadrës që e njeh mirë shijen e triumfit përballë Vllaznisë dhe me besimin se di të menaxhojë ndeshje të tilla me presion të lartë.

Gjithsesi, përballë një Vllaznie të etur për revansh, gjithçka mbetet e hapur. Një gjë është e sigurt: Vllaznia–Egnatia e javës së 19-të nuk është thjesht një ndeshje kampionati, por një tjetër kapitull i një rivaliteti të fortë, që pritet të ketë peshë të madhe në fatet e sezonit 2025-26.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments