Largimi i fantazistit Regi Lushkja pas gjashtë vitesh nga Laçi nuk i ka kapur të papërgatitur drejtuesit e klubit kurbinas. Prej dy muajsh ata kanë qenë të qartë se çfarë do të bënin me “xhevahirin” e tyre, derisa arritën marrëveshje me Sherif Tiraspolin për shitjen e kavajasit, nga ku përfitojnë 350 mijë euro dhe ruajnë 20% të kartonit.

Por kush do të ishte zëvendësuesi i Lushkjes? Presidenti Pashk Laska dhe drejtori Naim Halili i paraprinë gjithçkaje me afrimin e një lojtari tipik numër 10, që rolin e Lushkjes mund ta bëjë shumë mirë dhe për më tepër vjen në Shqipëri me eksperiencën e duhur.

Bëhet fjalë për mesfushorin 22-vjeçar me origjine nga Shkodra Sebastjan Spahiu. Ky i fundit nga viti 2017 dhe deri në fund të 2019-ës ka qenë pjesë e klubit elitar belg, Rojal Eksel Muskron.

Ka luajtur 12 ndeshje si profesionist në kampionatin belg, ndërsa është grumbulluar gjatë viteve të fundit edhe nga Kombëtarja U-21.

I lindur në Muskron të Belgjikës, Spahiu në dy vitet e fundit ka qenë në Spanjë me klubet e ligës së tretë si Izara dhe Guijuelo. Prej disa ditësh 22-vjeçari është nën urdhrat e Laçit dhe pritet që të debutojë që këtë të diel ndaj Vllaznisë.

Në sfidën e fundit kundër Partizanit, Spahiu ishte për herë të parë në stol. Ndërkohë, krahas tij, alternativë bindëse për të zënë një vend në formacion është edhe Serxho Ujka, i cili gjithashtu ka tiparet e Lushkjes. Ujka bëri një paraqitje shumë të mirë ndaj të kuqve.