Në Shqipëri nuk është një emër shumë i dëgjuar, por nëse pyesni në Azi për Liridon Krasniqin, atëherë do të flasin me fjalë të mëdha për të. I larguar nga Shqipëria vite më parë, mesfushori është bërë pjesë e futbollit dhe jetës në Malajzi, aty ku tashmë do të bëhet edhe pjesë e kombëtares së vendit ku luan.

Mesfushori me origjinë nga Kosova prej kohësh kishte nisur procedurat për t’u pajisur me pasaportë malajziane dhe më në fund lajmi i mirë ka ardhur. 28-vjeçari është zyrtarisht shtetas i Malajzisë dhe i gatshëm të nisë aventurën e tij edhe me kombëtaren e këtij vendi.

Procedurat janë drejt fundit, me Federatën vendase, që ka përfunduar të gjithë dokumentacionin dhe pret miratimin zyrtar nga qeveria e futbollit botëror, FIFA, i cili pritet të vijë shumë shpejt.

Mesfushori do të jetë në dispozicion të trajnerit të kombëtares, Tao Çeng Hoe për ndeshjet e marsit e më pas edhe të qershorit të këtij viti. Ai është lojtari i dytë që natyralizohet në kombëtaren e Malajzisë, pas Sumareh.

Krasniqi është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit të vendit aziatik dhe ka shumë fansa e madje tifozët e çmendur të tij i kanë vënë emrin Liridon fëmijëve të tyre.

Ai është ambientuar shumë mirë atje dhe po e shijon në maksimum jetën bashkë me familjen. Krasniqi në rininë e tij ka zhvilluar dy ndeshje me kombëtaren e të rinjve të Shqipërisë në vitin 2011. /vipsport/