Kthimi i Neymarit në Brazil vazhdon të shkojë nga keq në më keq, pasi sulmuesi do të duhet të qëndrojë jashtë për shkak të një tjetër dëmtimi, ndërsa Santos rrezikon rënien nga kategoria.
33-vjeçari mungoi në barazimin 1-1 ndaj Internacional, pasi u ankua për shqetësime në gju gjatë përgatitjeve para ndeshjes. Në klub shpresonin që mungesa e yllit brazilian të ishte vetëm për atë takim dhe që ai të rikthehej në përballjen e radhës në fundjavë ndaj Sport, por pas analizave të kryera në Sao Paolo rezultoi se futbollisti do të mungojë në tre ndeshjet e fundit të një sezoni të dobët.
Sipas Globo Esporte, Neymar ka pësuar një dëmtim të meniskut në gjurin e majtë dhe nuk do të luajë më për pjesën e mbetur të vitit.
Problemi i mesfushorit krijues u shfaq në pjesën e parë të barazimit 1-1 me Mirassol më 19 nëntor, pasi e kishte nisur si titullar atë ndeshje dhe dy të mëparshmet. Neymar luajti gjatë gjithë takimit, gjë që duket se e përkeqësoi gjendjen e tij, ndërsa shënoi edhe një gol.
Santos renditet në vend të 17 në tabelë, një pikë dhe një pozicion larg zonës së sigurisë, ku ndodhet skuadra e Vitorias.
Neymar u transferua në Brazil në janar. Edhe gjatë 16 muajve te skuadra saudite Al-Hilal, ai më shumë qëndroi jashtë fushës, pasi dëmtoi ligamentin në gjurin e majtë në tetor 2023, kur ishte grumbulluar me Brazilin.
Edhe te Santos, ai ka pasur probleme me dëmtimet, ndërsa ky i fundit bëhet i katërti që nga muaji janar që ka pësuar dëmtime.















