Vllaznia e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer fazën e fundit të kampionatit. Shkodranët në javën e 28-të të këtij edicioni mposhtën me rezultatin 3-1 ekipin e Erzenit.
Kuqeblutë dolën triumfatorë në takimin që u zhvillua ditën e djeshme në “Loro Boriçi”. Kjo duke thyer edhe “tersin” Erzeni që kishin pasur 9 herë kampionët e vendit këtë sezon.
Por nuk ishte vetëm fitorja ajo që ngrohu të gjithë, ku patjetër pikët janë shumë të rëndësishme në këtë periudhë. Por ishte edhe loja dhe niveli që treguan shkodranët. Trajneri i ri Sedloski duket se ka sjellë atë që ndoshte mungonte prej kohësh në skuadër, entuziasmin.
Sepse realisht qoftë nga ana fizike apo edhe ajo taktike një trajner sa do i aftë të jetë nuk mund të përçojë 100% idetë e tij mbi skuadrën në vetëm 4 ditë stërvitje.
Megjithatë ish-mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut duket se i ka dhënë një “fytyrë” të re ekipit. Një grintë dhe një shpirt që mungonte dhe që dje u shfaq sërish në skuadër. Duke risjellë edhe njëherë optimizmin në kampin shkodran. Tashmë duhet parë vijueshmëria e ekipit në javët që do pasojnë, ku ndeshjet do vështirësohen.
Goce Sedloski dhe skuadra e kaluan me shumë sukses provën e parë së bashku. Ndeshje që tregoi se Vllaznia ka kualitete, ka futboll dhe mund të bëjë mirë deri në fund. Në një sezon që ka qenë plot ulje e ngritje për shkodranët deri më tani.
Endri ÇINARI