Është njeriu i momentit tek Vllaznia dhe po udhëheq ekipin me golat dhe performancën e tij. Fjala është për Bekim Balajn, i cili në këtë fillim sezoni duket se ka gjetur formën e tij më të mirë. Sulmuesi shtatlartë ka shënuar në të dy ndeshjet e para të këtij edicioni. Duke pasur kështu për momentin 3 gola në llogarinë e tij, pas 2 javëve të para.

32-vjeçari po vijon me formën e shkëlqyer që nga ndeshja e kthimit me Linfield në Shkodër. Edhe aty Balaj shënoi duke i dhënë fitoren 1-0 kuqebluve, por pa mundur dot që shkodranët të kualifikoheshin. Kjo për shkak të humbjes 3-1 në ndeshjen e parë në Irlandën e Veriut. Pra janë 3 ndeshjet rradhazi zyrtare, ku shkodrani ka gjetur rrjetën.

Edhe në fundin e edicionit të kaluar në Superiore, ish-futbollisti i Rijekas po kalonte një formë të mirë. Ku në 3 javët e fundit të sezonit gjeti dy herë golin, në barazimet 1-1 respektivisht kundër Partizanit dhe Laçit. Tashmë nga Balaj pritet shumë këtë sezon, duke qenë se ai do jetë edhe kapiteni i skuadrës.

Fakt që ia shton akoma më tepër përgjegjësitë sulmuesit. Vlerat e tij janë të padiskutuara dhe pa dyshim që Balaj cilësohet ndoshta si sulmuesi më i mirë në kampionatin tonë. Prandaj edhe sytë dhe pritshmëritë e tifozëve, por edhe ambientit të futbollit në Shkodër janë të drejtuara tek ai.
Endri ÇINARI