Menaxheri i Manuel Nojerit ka kritikuar politikën e transferimeve të Bajernit të Mynihut, duke i cilësuar kampionët e Gjermanisë një klub që nuk konkurron dot me rivalët e tij anglezë. Deklarata e bërë nga Tomas Kroth, gjatë një interviste për “Süddeutsche Zeitung” pak ditë më parë, mund të ketë pasoja për të ardhmen e kapitenit të Bajernit.
Për agjentin e portierit të kombëtares gjermane, kampionët e Gjermanisë nuk janë konkurrues në nivel ndërkombëtar me klubet më të mira të Europës. “Manuel është i orientuar drejt suksesit. Përshtypja ime është se diferenca me katër klubet kryesore të Anglisë është që tani serioze dhe skuadra e Bajernit nuk është ende aq konkurruese sa të rivalizojë në mënyrë serioze për objektivat e Manuelit”, tha 59-vjeçari gjatë intervistës për “SZ”.
Opinioni sportiv gjerman ka nisur të hamendësojë se çfarë fshihet pas një deklarate të tillë, krejtësisht e papritur. 33- vjeçari Nojer, i cili e humbi pjesën më të madhe të fazës së dytë të sezonit të shkuar për shkak dëmtimi, duke luajtur vetëm 11 ndeshje me Bajernin, ka ende një kontratë deri në 30 qershor 2021 në “Allianz Arena”. “Një rinovim i mundshëm i kontratës dhe mbyllja e karrierës në Mynih është sigurisht një mundësi, por jo e vetmja alternativë”, nënvizoi Kroth.
“Tani jemi në një fazë në të cilën ai duhet të vendosë: Si e sheh ai të ardhmen e tij?” shpjegoi konsulenti i portierit. “Nëse ai kupton se Bajerni po luan në nivele të ulëta, atëherë ai do të kërkojë të shpërthejë sërish”. Kampioni i botës në 2014 me Gjermaninë ka ende objektiva të qartë: “Ai dëshiron të fitojë Kampionatin Europian me Gjermaninë, por edhe një herë tjetër Ligën e Kampioneve”.
KRITIKA –“Bild” kritikon ashpër qëndrimin e menaxherit të portierit dhe këtë të fundit e quan një lider jo të mirë. Përmes një komenti, ata i analizojnë fjalët e menaxherit Kroth si ato të vetë Nojerit, i cili fshihet pas gojës së tij. “Nojer duhet të ndjekë shembullin e Lahmit dhe Levandovskit, të cilët të dy kritikuan përmes menaxherëve ambiciet e klubit dhe për këtë morën edhe gjoba të larta”, shkruan “Bild”.
MATEUS – Kritikat e Manuel Nojerit adresuar drejtuesve të Bajernit, përmes menaxherit të tij, nuk i kanë pëlqyer ish-kapitenit të rekordmenëve gjermanë, Lotar Mateus. Ish-mbrojtësi i kombëtares gjermane, përmes një deklarate për “Bild”, kritikon portierin 33-vjeçar: “Si kapiten i Bajernit, unë duhet të flas vetë në klub nëse kam një problem me politikën e tyre të transferimit.
Dyert e shefave janë gjithnjë të hapura”, tha 58-vjeçari, i cili shtoi: “Unë e njoh këshilltarin e tij Tomas Kroth dhe ai nuk është një person që shfaqet në publik me kokën e tij. Sigurisht që e ka diskutuar me Manuelin. Menaxherët e mi nuk lejoheshin që të flisnin kurrë në publik pa marrë më parë miratimin tim