Notarët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje të mirë edhe në garat e rradhës, pikërisht në Turneun Ndërkombëtar “Neptun Cup” që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut në datat 28 shkurt- 1 mars. Në këtë turne përveç tyre kanë marrë pjesë edhe sportistë të 48 ekipeve të tjera nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia e Bullgaria. Në total kanë qenë 589 notarë pjesmarrës.
Ekipi i Vllaznisë u përfaqësua në këtë aktivitet me këto sportistë: Viki Tafrruku, Joel Golemi, Skerdi Kroni, Adriel Marku, Klea Dedi, Frederica Rrotani, Angelo Rrotani, Herta Mimaj, Melodi Mimaj dhe Gjergj Mirija.
Ndër to rezultatin më të mirë në këto gara e ka arritur notarja Viki Tafrruku e cila u rendit në vendin e tretë si sportistja më e mirë femër e turneut dhe e dyta për moshat. Ajo mori 4 medalje argjendi dhe 2 medalje bronzi. Konkretisht në 50 metra stil i lirë vend i dytë për moshat dhe kategorinë Open, në 100 metra stil i lirë vend i tretë për moshat, në 200 metra stil i lirë vend i dytë për moshat dhe në 400 metra stil i lirë vend i dytë për moshat dhe po vend i dytë edhe në kategorinë Open.
Joel Golemi mori medalje të artë në disiplinën e 50 metër delfin, medalje argjendi në 50 metër stil i lirë dhe medalje bronzi në 100 metër delfin. Frederica Rrotani mori medalje bronzi në disiplinën e 50 metrave bretkosë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


