Home FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Nuhiu: Po presim merkaton, na duhen përforcime

Nuhiu: Po presim merkaton, na duhen përforcime

0
Nuhiu: Po presim merkaton, na duhen përforcime

Trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiu, ka theksuar se vështirësia e bardhebluve është rritur nga fakti se ekipi po nis ndeshjet duke pësuar gol shumë shpejt, siç ndodhi në derbin e humbur 0-2 përballë Partizanit.

“Janë disa ndeshje që po i nisim 1-0 , ndoshta edhe në formë aksidentale po na vijnë golat dhe më vjen keq edhe për futbollistët sepse jemi në aspektin psikologjik të rënduar dhe në këtë moment na duhet më së paku të startojmë ndeshjet mirë. Në pjesën e parë besova shumë se skuadra po kërkonte qarkullimin e topit, dilnim mirë nga zona e parë dhe e dytë. Por në fazën finale na mungonte krijimtari për të shkuar te goli. Në pjesën e dytë besova e shpresova shumë që do jemi më mirë por nuk na lejoi kundërshtari se mori kontrollin. Goli i dytë efektivisht e mbylli ndeshjen, edhe pse i kërkova djemve të mos dorëzohen, sepse e dimë që në ndeshje të tilla një gol të kthen. Pozitive ishte pjesa e tifozëve që na mbështetën, i falënderoj dhe u kërkoj ndjesë njëkohësisht për këtë humbje.

Realisht, po na ndodh thuajse në çdo ndeshje, po pësojmë gol të lehtë, jo se po na krijon kundërshtari. Mundohemi t’i sjellim skuadrës sa më shumë informacione me analiza, por golat po na vijnë në mënyrë aksidentale. E dinim që në derbi goditësh, aq më shumë në momentin kur pëson gol, por mënyra se si po lëviznin futbollistët, më dha shumë shpresa që mund të barazonim ndeshjen. Biles kishim besim që mund ta kthenim komplet. Normalisht në pjesën e dytë tentuam të ishim më lart dhe erdhi kundërsulmi ku u mbyll takimi.

Po mundohemi të punojmë, na kanë vështirësuar edhe më tepër mendoj ndeshjet çdo tre ditë, se nuk e shoh mirë as gjendjen fizike. Edhe disa dëmtime si Soler që ka qenë vetëm dy ditë me skuadrën. Po e shoh që po lodhet skuadra, ndoshta për atë arsye në pjesë të dytë nuk prodhuam më shumë, provuam me shumë sulmues. Por prapë nuk na shërbeu, na ngelet të analizojmë, punojmë e shohim përpara ndeshjet që kanë mbetur, të mundohemi të marrim pikë dhe të mos shkëputemi.

E theksova që na mungoi krijimtaria në zonën e fundit, kishim përgatitur daljen edhe më shpesh djathtas. Por u orientua skuadra majtas dhe na funksionoi, nga e djathta jo mirë. Edhe në momentin kur çonim topin te Tabeku, mundohej ta zgjidhte vetë. Na mungon pasimi final për të shërbyer sulmuesit.

U besojmë më shumë krosimeve të Haxhiut, se mendoj se është më efikas kur hapet në krah. Mënyra se si lëvizi Partizani, që u fut Ismajli mes qendërmbrojtësve, jo rastësisht futa Mehmetin, që të gjenim krosime, por edhe se në pjesën e dytë kishte vështirësi për të marrë topin.

Besoj, jo rastësisht theksova që duhet të mobilizohemi këto tre ndeshje që të marrim pikë, pastaj na vjen faza e pushimit, shumë pak, por padiskutim do bëjmë analizë më të thellë. E dimë që merkato e janarit është më e varfër, do mundohemi të ruajmë grupin por të shtojmë disa koka të ndihmojnë skuadrën. Mendoj se ka shumë ndeshje dhe nëse gjejmë koka të qëlluara, të jenë cilësorë ata që shtojmë, besojmë te puna a mënyra si duhet të luajmë e të nxjerrim nga kjo situatë Tiranën.

Merkato? Kemi nevojë edhe në fazën sulmues apo edhe mesfushë. Duhet të shtojmë forca në pjesën sulmuese, që të jemi më krijues, ajo që na mungoi sot, t’ia shtojmë këtë skuadrës. Kam besim të plotë që do të gjejmë rrugën”, tha Nuhiu për RTSH pas ndeshjes.