Manchester City vijon “presionin” ndaj Arsenalit kryesues të Premier League teksa të dielën mposhti në shtëpi me shifrat 3-1, Leicester City. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola nuk falën në Etihad Stadium teksa e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë me anë të golave të Stones dhe dygolëshit të Erling Haaland.

‘The Citizens’ janë tre pikë më pak se Arsenali ndërsa në horizont është edhe përballja mes topçinjve dhe Cityt, me trajnerin Pep Guardiola që shprehet se ajo ndeshje do të jetë finalja e vërtetë e Premier League.

“Sfida ndaj Arsenalit është një finale të cilën nëse e fitojmë, na jep mundësinë të luajmë edhe disa finale të tjera që mbeten në kampionat. Shpresojmë t’ia dalim. Është një sfidë të cilën duhet ta fitojmë me patjetër, nëse nuk ia dalim atëherë shanset për titull mund të konsiderohen zero.

Arsenal ka bërë një ecuri të mrekullueshme këtë sezon dhe besoj se nuk do të gabojnë shumë deri në fund, ndaj për ne nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fitojmë.

Haaland? Shpresoj që ai t’i thyejë të gjitha rekordet. Po shënon shumë dhe kjo do të thotë se në këtë formë e ndihmon skuadrën të fitojë. Kemi edhe tetë ndeshje të tjera dhe mendoj se është gati për t’i luajtur të gjitha ato”, u shpreh Guardiola.