Sezoni i fundit ishte në kufijtë e perfeksionit për Manchester Cityn. Skuadra e drejtuar nga trajneri Pep Guardiola fitoi tre trofetë më të rëndësishëm sezonalë duke nisur nga Premier League, Champions League dhe FA Cup, teksa i vetmi trofe që iu shpëtoi nga duart ishte Carling Cup.

Sigurisht, festa ishte e jashtëzakonshme në radhët e “The Citizens” dhe me të drejtë pas një sezoni fantastik të mbushur me suksese. Por, misioni nuk ka përfunduar dhe tashmë gjithçka nis nga fillimi. Të besuarit e Guardiolës janë sërish të “uritur” dhe kundërshtarët do të bënin gabim nëse mendojnë se motivimi nuk është më i njëjtë te City.

Këtë e bën të qartë Ruben Dias, me mbrojtësin që paralajmëron rivalët se City do të tentojë të fitojë sërish çdo kompeticion ku merr pjesë pasi i tillë është mentaliteti në skuadrën kampione të Anglisë.

“Të gjithë ata që mendojnë se do të mjaftohemi me atë që arritëm sezonin e kaluar e kanë totalisht gabim dhe për mua janë njerëz të cilët mendojnë negativisht. Ne te City e dimë shumë mirë se puna jonë nuk ka mbaruar, nuk është se fituam një Champions League dhe tashmë mund të “varim këpucët në gozhdë”. Edhe në aspektin personal, kam shumë për të dhënë.

Sezoni i kaluar ishte i mrekullueshëm, por ishte vetëm një pjesë e karrierës. Fituam tre tituj, por e dimë që ka më shumë për të bërë dhe duam të fitojmë sërish. Tashmë, ky është mentaliteti ynë, nëse ia dolëm një herë atëherë mund ta bëjmë edhe dy apo tre herë të tjera. Unë dua të jem i sigurt se numrat në fundin e karrierës sime do të bëjnë të mundur që të kujtohem për disa kohë.

Pas triumfit në Champions League, e sigurt është se do të kemi më pak presion. Kjo është diçka e mirë për skuadrën pasi do të jemi më të qetë në ndjekjen e ëndrrës sonë. E di do të ketë momente të vështira dhe presioni, por tani kemi sigurinë se ia kemi dalë.

Tani është koha ta harrojmë sezonin e kaluar dhe t’ia nisim nga e para. Ambicia nuk është një problem në skuadrën tonë sepse klubi ka zgjedhur lojtarët e duhur, jemi lojtarë që duam të fitojmë gjithmonë dhe jo vetëm një herë”, u shpreh Ruben Dias.