Goleadori i Laçit, sezonin e shkuar, Kirian Nuabueze, është zgjedhur në formacionin më të mirë të vitit nga “RTSH”. Në një prononcim special, në lidhje me ecurinë e tij fantastike, përformancën në Ligën e Europës si dhe të ardhmen, Nuabueze u shpreh:

ECURIA FANTASTIKE- Eksperienca ime në Kategorinë Superiore, ishte shumë e mirë. Nuk mund të ankohem. Bëra një sezon të mirë, shënova plot gola dhe gëzohem për këtë. Sigurisht që do të doja më shumë, por me këtë periudhë që po kalojmë, ajo që mund të bëj është që të shoh përpara për kapitullin e ri.

GOLAT E PREFERUAR- Isha duke luajtur kundër Vllaznisë në Laç, ishte një gol që unë ia vodha topin një lojtari anësor, driblova një farë kohë godita dhe shënova, ishte një gol i mirë.

Ky ishte një gol që mua vërtet më pëlqen. Goli tjetër i preferuar ishte përsëri kundër Vllaznisë, kur Deliu më dha një top e kontrollova, godita dhe shënova. Këto 2 gola janë të veçantë për mua.

EKSPERIENCA NË LIGËN E EUROPËS- Ndeshjet në Ligën e Europës, ishin shumë të mira. Në fillim kishim një ndeshje brenda kundër Hapoel Ber Shevës. Luajtëm mirë, unë luajta mirë, shënova.

Këtë vit luajtëm përsëri brenda dhe bëmë një ndeshje të mirë. Të shënosh gol në Ligën e Europës është diçka e veçantë. Mund të them që kam bërë diçka të veçantë në Europa League. Lashë shenjë në Europë, kështu që sigurisht ishte një moment special.

Mënyra se si u skualifikuam nga Europa League, na lodhi mëndërisht, na sfiliti mund të themi, por nuk jam i zhgënjyer absolutisht. Do kthehemi përsëri në lojë. Kemi vërtet një skuadër të mirë. Nuk jam i shqetësuar për këtë ekip, aspak. Te Laçi ndihem si në shtëpi.

Jam shumë i lidhur me lojtarët. Jemi si një familje, punojmë së bashku. Madje dhe me presidentin dhe stafin, jemi të gjithë bashkë. Ndihem rehat si në shtëpi. Do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Do e tregojë koha. Jam gati për çdo bekim që do të vijë në rrugën time.

ÇMIMI DHE KISHA E LAÇIT- Këtë çmim special ia dedikoj vëllait që ka ndërruar jetë dhe familjes sime. Unë luaj futboll për të. Nuk kam qenë te Kisha e Laçit, ndoshta në të ardhmen do të shkoj”, u shpreh Nuabueze.