Kirian Nuabueze është larguar zyrtarisht nga Laçi. Sulmuesi mbylli para kohe sezonin me kurbinasit e tashmë është një futbollistë i lirë. I ftuar në emisionin Zona Gol, Nuabueze foli për aventurën e tij te Laçi, ofertat që kishte sezonin e kaluar si dhe të ardhmen.

“Për mua ka qenë një situatë e ndërlikuar te Laçi. Kam kaluar një sezon të mirë vjet, ndërsa kur gjërat shkojnë keq bëhet edhe më e vështirë. Nuk jam I kënaqur me mënyrën se si u mbyll aventura ime te Laçi pasi kishim disa gjëra që nuk ramë dakort. Është e vërtetë që në të shkuarën kam pasur probleme shëndetësore, ndërsa tani ndihem mirë. Më vjen keq që shkruajnë që jam keq, por unë ndihem mirë dhe dua të vazhdoj të luaj futboll.

Nuk dua të them që ishte një sezoni I vështirë, por mendoj se ishte I pafat. Kisha shanse të provoja një nivel të lartë futbolli dhe më shumë para, ndërsa drejtuesit po projektonin një skuadër për titulli dhe nuk më lejuan të largohesha.

Vjet kisha konkurencë me Shkurtajn, ndërsa këtë vit nuk kisha aspak dhe kjo ndikoi te mua. Sherri në Ballsh? Nuk më vjen inat që ndodhi edhe pse do të ishte më mirë të mos ndodhte, por lojtarët e Bylisit më provokonin gjithë kohën.

Nota për veten dhe aventura me Laçin? “Nuk kam pengje pasi nuk është mirë të largohesh me pengje. Kam pasur marrëdhënie të mira me lojtarët dhe trajnerin Duro dhe e cilësoi si një aventurë pozitive. Isha më i miri te Laçi dhe e vlerësoj veten time me notën 10, goli më të bukur e kam shënuar vjet ndaj Vllaznisë”.

E ardhmja? “Jam I sigurt që do të ketë oferta nga Shqipëria dhe nuk dua të them që nuk do të luaj më këtu, por dua të luaj jashtë pasi kampionati shqiptar nuk është prioriteti im”.