Opinion nga ILIR KADIA
Nuk është ironi! Vërtet barazuam në “Elbasan Arena” me Estoninë për 21-vjeçarët, por ngjallëm shumë shpresë me lojën që bëmë. Fitorja, edhe me shifra, ishte çështje fati. Në pjesën më të madhe të lojës djemtë tanë ishin superior.
Topi lëvizte në fushë me këmbë mjeshtrash, që në ekipe europiane, nga vijnë, stërviten e luajnë me mjeshtra. Portieri estonez ishte po aq i mirë sa Strakosha ynë, që pse është aq talent e ka Lazio portier të parë dhe De Biazi i besoi fanellën që dikur mbante i ati! Kapiteni Bare shkëlqeu sikur të ishte titullar tek Atletiko Madridi. Manovra e tij me shpejtësi si madrilen i pjekur! Pak më i qetë në gjuajtje para portës ai dhe Taulant Seferi dhe zero e parë e 0-0 do të ishte “vrarë” jo vetëm njëherë!
Mund t’i kishim marrë tri pikët në “Elbasan Arena” si qershi mbi tortë, padyshim, por… ani! Shija që na lanë Shpresat me Estoninë ishte si ajo e Shqipërisë në Izrael. Bukë e një brumi të mirë, që do ta shijojmë gjatë. Dhe aq më shumë kur mendon se Alban Bushi nuk pati në fushë tetë lojtarë titullarë. Por do t’i ketë në ndeshjet e tjera për eliminatoret e Europianit, që sapo nisën!
Dhe nisi me këmbë të mbarë se me zemër e uruam: Udhë të mbarë moj Shpresë e mbarë!


