Nga Zenepe DIBRA
Disa studio sportive drejtohen nga gra dhe vajza në analizat e futbollit, por ajo që kam vërejtur është se mungon zëri analitik femëror. Pavarësisht se personalisht e kam ndjekur futbollin që nga adoleshenca, fillimisht nga tifozllëku i vëllezërve, më pas i familjes së bashkëshortit dhe, së fundi, edhe i djalit, nuk mund të them se jam një analiste e mirëfilltë, por futbollin e kam ndjekur dhe vazhdoj ta ndjek.
Në fillim të këtij sezoni kam shkuar në stadiumin tonë për të parë ndeshjet. Kanë qenë ndeshje të shkëlqyera, aq sa kam shkruar se tashmë kemi krijuar një skuadër dhe, nëse vazhdojmë kështu, do ta fitojmë kampionatin. Ishte një lojë dinamike dhe sulmuese, ku lojtarët tanë “fluturonin” në fushë me shkathtësi, harmoni dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke entuziazmuar pa masë tifozët.
Po tani? Shohim një lojë krejt tjetër: duket sikur lodhen shpejt, pa fantazi (pa përmendur këtu edhe dëmtimet), aq sa tifozët e ndjekin lojën me shumë frikë, sepse sapo shënohet një gol, vjen shpejt barazimi e më pas edhe humbja.
Unë jam dakord që tifozi duhet të jetë me Vllazninë në të mirë e në të keq. Tifozi shkodran është shumë objektiv dhe mjaft i qytetëruar në krahasim me tifozët e qyteteve të tjera. Ai e ka duartrokitur skuadrën edhe kur ka humbur, por ka luajtur mirë. Madje ka duartrokitur edhe lojën e bukur të kundërshtarit.
Por, ju lutem, lojtarë të Vllaznisë, mos prisni të duartrokiteni edhe kur nuk bëni lojë të bukur. Kjo e nervozon tifozin, e bën ndonjëherë të largohet nga stadiumi; dikush nuk duron dhe shan, e pas disa ndeshjesh të barazuara apo të humbura, e braktis stadiumin.
Mos e shihni gabimin te tifozët, por shihni çfarë mund të përmirësoni në lojë: si të mbroni dhe si të sulmoni për t’u dhuruar tifozëve ndeshje të bukura. Sepse sot futbolli është ndër të paktat evenimente dëfruese për shkodranët.
Ne ju duam dhe ju përkrahim, por ju lutem mos e zhgënjeni mirënjohjen tonë. Le të besojmë se viti 2026 do ta kthejë Vllazninë në kuotat e saj të lavdishme. Respekt dhe mirënjohje për lojërat e bukura që keni zhvilluar, si dhe inkurajim për fazën tjetër.


