✍️ Shkruar nga Adriatik DOSTI

Shqiptar i lindur në Angli në vitin 2001 dhe i lidhur e i dashuruar me futbollin që fëmijë, pranë ekipeve të Chelseat dhe Tottenhamit. Në vitin 2020, kur sapo i kishte kaluar 19 vjeç, bëhet përfundimisht futbollist profesionist i Premier League dhe pronë e londinezëve të Chelseat, me të cilët aktivizohet në 26 ndeshje dhe shënon 2 gola.

Më pas vijnë huazimet: tek Vitesse në Holandë ku bëri një paraqitje vërtet mbresëlënëse — 30 ndeshje, 10 gola.
Shkon sërish në huazim te Southampton, Fulham, Everton dhe tash është te Burnley.

E ndoqën fatkeqësisht disa dëmtime të rënda fizike, ku i fundit e mbajti jashtë fushave të futbollit për gati 1 vit — fatkeqësi kjo e rëndë për çdo futbollist profesionist.

I konsideruar talent futbolli dhe një ndër më të mirët që ka luajtur e luan për Kombëtaren e Shqipërisë, Broja e ka veshur me dëshirë fanellën kuqezi që në vitin 2019 me U19, U21 e prej disa vitesh edhe me Kombëtaren A (31 ndeshje), ku ka shënuar për Shqipërinë 16 gola deri tani.

Por duhet thënë se në shumë raste ka zhgënjyer dhe ka qenë e mbetet larg pritshmërive që kanë ndaj tij Shqipëria dhe shqiptarët. Dy golat në dy fitoret me Hungarinë dhe pak gjë tjetër evidente… pak, shumë pak për një lojtar–talent si Broja.
Karakter disi i komplikuar dhe futbollist pak i përkëdhelur e i mbivlerësuar — sidomos nga ne shqiptarët.

Kur unë “plasa” publikisht 3 vjet më parë “çështjen Broja” brenda Kombëtares së Shqipërisë, disa “patriotë” mu turrën mua, a thua se isha unë që po e pengoja Armandon e jo FSHF-në… që të shkëlqente te Shqipëria.

Kujtoj se Broja që në fillim i vuri kushte Shqipërisë: “O jam në formacion, o nuk vij fare në grumbullim. O rri në një dhomë në hotel me familjen time, ose iki fare nga grumbullimi.

Nuk jam titullar? OK, po kthehem në Londër se jam ‘i dëmtuar’ dhe kam nevojë për trajtim të specializuar; nuk rri në stol unë, le të rrinë të tjerët…”

Ky ka qenë, dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë Broja te Shqipëria.

Tash kohët kanë ndryshuar disi në raportet mes të dyja palëve. Nëse deri dje ishte Shqipëria që kishte tepër nevojë për Brojën dhe për këtë arsye i bëri aq shumë lëshime — që në të vërtetë i dëmtuan të dyja palët, veçanërisht Shqipërinë — sot është Broja ai që, për shkak të situatës së vështirë ku ndodhet, e ka më shumë se kurrë të nevojshme Shqipërinë, e cila vazhdon ta mbajë në pëllëmbë të dorës dhe ta favorizojë padrejtësisht, shpesh në kurriz të dikujt tjetër.

Broja është jashtë forme. I duhet të luajë, i duhet topi në këmbë, i duhen minuta, i duhet goli që i mungon shumë, i duhet besimi te vetja, morali, ana psikologjike — dhe ndoshta, te Shqipëria, edhe pozicioni i duhur. Sipas meje, më i saktë dhe më rezultativ është në qendër të sulmit sesa në krah.

Broja tashmë nuk është më ai supertalenti 20-vjeçar në shpërthim, por një futbollist profesionist prej më shumë se 5 vitesh dhe një lojtar i Kombëtares 24-vjeçar që duhet të jetë shumë më i përgjegjshëm për veten, për fanellën që vesh dhe për besimin e dhënë — si edhe për ekipin me të cilin luan, e veçanërisht për ekipin kombëtar.

Lotët e tij dje dhe ai qendrimi pas ndeshjes me Andorrën, ku sërish ishte më i dobëti në fushë, nuk kanë asnjë justifikim.
Hysaj dhe zv.presidenti i FSHF-së, Nuri, bënë të tyrën nga ana sportive dhe njerëzore, dhe bravo u qoftë — por Broja vetë çfarë bëri në këtë rast?

Thelloi gabimin.
Refuzoi të shkonte të festonte fitoren dhe suksesin së bashku me ekipin te tifozët kuqezi, të cilët jo vetëm e kanë dashur dhe e duan, por edhe e kanë vlerësuar e përkrahur si askush tjetër, edhe pse ai vazhdon t’i zhgënjejë.

Personalisht, ky qëndrim i djeshëm i Brojës më la një shije vërtet të hidhur, mbi të gjitha kur mendon se nga vjen, ku luan dhe aq më shumë që është futbollist profesionist.

Broja së pari duhet të ndërrojë kampionat dhe ekip — të largohet nga Anglia ku nuk po e gjen dot veten dhe të provojë kampionatin gjerman, italian, francez apo holandez, sipas meje.

Së dyti, duhet urgjent të ndërrojë menaxherin, sepse duket që babai i tij, ende në këtë rol, pa dashur po e dëmton më shumë se po e ndihmon.

Broja duhet urgjent të punojë me një psikoterapist, pasi ka goxha nevojë për moral dhe stabilitet psikologjik në gjendjen ku ndodhet.

Por mendoj se Shqipëria — që duhet të vazhdojë ta përkrahë, ta mbajë afër dhe ta vlerësojë, sepse talente të tilla nuk vijnë shpesh — duhet ta provojë në një pozicion tjetër taktik për t’u bindur përfundimisht se ku jep më shumë për ekipin dhe për veten.

Që edhe ai të gjejë veten, por edhe të mos ngrohë stolin kur s’e meriton, të mos jetë në formacion kur s’e meriton dhe të mos digjet dikush tjetër në pozicionin e tij vetëm për shkak të emrit apo të reputacionit të talentit “më të madh të futbollit shqiptar”.

“E di që për emrin e madh që kam, ekipi im nuk do të më hiqte kurrë nga formacioni dhe as do të më mbante në pankinë. Por unë jam i ndërgjegjshëm për emrin edhe më të madh se i imi… që ka ekipi im; ndaj dhe bëhem copë për të.” — shkruan në kujtimet e tij futbollisti i famshëm F. Puskás.
No comment.