Friday, March 27, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Adriatik Dosti/ Nuk na mundi Polonia, por na mundi vetja...

Opinion nga Adriatik Dosti/ Nuk na mundi Polonia, por na mundi vetja dhe na mundi Sylvinho

Zhgënjim total!

Dy raste të pastra goli të humbura nga Bajrami në minutën e 53-të dhe nga debutuesi Pilo në të 71-ën, raste që një futbollist profesionist mund t’i humbasë një herë në 100 vjet.

Një Strakosha që del tmerrësisht gabim dhe bën një gafë amatoreske në minutën e 63-të, duke na ndëshkuar Lewandowski. Sërish një Strakosha spektator në të 73-ën, te ajo gjuajtje nga distanca e Zielinskit dhe Polonia na përmbys në 2-1.

Dhe i ka humbur krejt vlera ai gol i A. Hoxhës në minutën e 42-të, që e çoi Shqipërinë në avantazh, duke e mbyllur pjesën e parë si fituese.

Si mund t’i mbash në stol, mor zoti Sylvinho, dy lojtarët më në formë të Shqipërisë në kampionatet ku luajnë Muçin dhe Mehmetin?
Si mund të ndërrosh, në rezultatin 1-1, një sulmues (Hoxhën) me një mbrojtës debutues si Pilo në një ndeshje të tillë?
Si mund ta fusësh Muçin vetëm në 10 minutat e fundit, për çfarë?

Me kë guxon e tallesh kësisoj, mor zotëri aq më shumë që shqiptarët nga çdo cep i globit sakrifikojnë jo pak për ta ndjekur Kombëtaren e tyre dhe, me të drejtë, presin shumë më tepër prej saj në lojë dhe në rezultat.

Si guxon ti të mos i japësh asnjë minutë të vetme A. Mehmetit, e as Ramadanit, por mban kot e për emër në fushë Asllanin?
Si e çon në tribunë J. Asanin, që ka bërë aq shumë për Shqipërinë, dhe mban në stol, fjala vjen, N. Alijin?

Ndaj dhe them me plot gojën: nuk na mundi Polonia, sepse realisht polakët nuk bënë asgjë më shumë e më mirë se ne gjatë gjithë lojës, dhe fitoren e kanë të dhuruar, jo të merituar.

Ne na mundi vetja, na mundi Sylvinho.

Ndaj dhe ëndrra jonë për në Botëror, në një ndeshje të tillë, në një humbje të tillë e përballë një kundërshtari të tillë, fatkeqësisht nuk mundi të bëhet realitet. Dhe kjo jo për mungesë fati apo merite, por thjesht për fajtorë që, në këtë rast, kanë emra konkretë.

Shqipëria nuk ka lojtarë të këqij e as ekip të keq, por pikërisht pas kësaj humbjeje dhe këtij eliminimi të pamerituar, bën mirë të mendojë shumë seriozisht për trajnerin e ri të radhës.

Sylvinho duhet të largohet, madje bën mirë të ikë para se të startojnë ndeshjet e UEFA Nations League.

Ndërkohë, në Bratislavë, dardanët kanë bërë mrekullinë, teksa kanë mundur 4-3 sllovakët. Me shumë meritë, me zemër, grintë, shpirt, sedër e dinjitet profesional e kombëtar – bravo ju qoftë!

Të martën, në Prishtinë, ata presin Turqinë, një super ndeshje. Urime e suksese Kosovë, të priftë e mbara. Mos harro: me mend në kokë e këmbë në tokë, je vetëm një hap larg mrekullisë – pjesëmarrjes tënde të parë në një Kampionat Botëror!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments