Vendimi i arbitrit Kridens Meta në ndeshjen vendimtare për titullin kampion sezonin e kaluar midis Tiranës dhe Bylisit ishte një vendim i drejtë dhe i mbështetur plotësisht në rregullat teknike të lojës së futbollit. Për vetë rëndësinë, kjo ndeshje pati diskutime të shumta, por ajo që ra në sy për keq ishin qëndrimet e disa opinionistëve, që pa përgjegjësi morale dhe sportive fyen rëndë arbitrin Meta.
Po aq gabim veproi edhe moviolisti Lorenc Jemini. Ai, për të bindur sportdashësit për ato që do të deklaronte, kopjoi disa metoda të politikanëve të sotëm, ku me entuziazëm të madh krenohen kur edhe politikanët e huaj janë në të njëjtën linjë me mendimet e tyre.
Në rastin e vendimit të arbitrit Meta, me vullnetin e mirë, Jemini nuk e kishte të vështirë të kuptonte dhe të interpretonte drejt atë që ndodhi në fushë. Konsultimi i tij me arbitrat e huaj ishte fare i panevojshëm.
Ndërkohë dua t’i kujtoj Jeminit se, shumë pranë tij, ka specialistë shumë të mirë, si Plarent Kothere, Bujar Pregja, Sokol Jareci, Albano Janku e disa të tjerë, me të cilët mund të konsultohet fare lehtë.