“Ad absurdum”, dihet, është shprehje latine që do të thotë “deri në absurd”, pra “deri në më të papranueshmen” apo “deri në më të pajustifikueshmen”.

I nxitur prej këtij nënkuptimi, mbajta një ditar të rrufeshëm, 13 e 14 mars 2022.

Pashë lajmet e orës 19:30 në një televizion të cilit i është dhënë nga shteti leja për të qenë kombëtar. Mirëpo, ndodhi që në fund të lajmeve, kur e kanë radhën ato sportive, ky televizion bëri një koment për golat e C.Ronaldos dhe një tjetër për mërzinë e tifozëve të Paris SG, për eliminimin nga Liga e Kampioneve. Dhe asnjë fjalë për tri ndeshje të kampionatit kombëtar të Shqipërisë që sapo kishin përfunduar. Dhe vazhdojnë t’ia njohin statusin e lejes (licencës) së televizionit kombëtar!

Tjetër. Të nesërmen hapa gazetën “Panorama Sport” të 14 marsit dhe pashë që në tria kampionatet ishin 36 gjyqtarë, delegatë e vëzhgues të ndeshjeve të cilit ishin nga Tirana. Madje, edhe në ndeshjen e Shkodrës, atë Vllaznia – SK Tirana, delegati e vëzhguesi ishin po nga kryeqyteti Tiranë. U bëra kurioz të mësoja se sa ka guxuar kjo dyshe për ta gjykuar golin e anuluar të Vllaznisë për “jashtë loje”.

Vazhdova te ndeshja Partizani – Egnatia dhe 2 gjyqtarë nga Tirana e delegat e vëzhgues po nga Tirana. Nuk ndala këtu. Shkova te Dinamo – KF Kukësi dhe 1 gjyqtar nga Tirana e delegat e vëzhgues gjithashtu nga Tirana. Asnjanësia në nivelin zero! Më tej: KF Laçi – Skënderbeu dhe 2 gjyqtarë nga Tirana e po kështu, “tiranas” edhe delegati e vëzhguesi. Monopoli në fuqi.

Mandej u habita kur ndala te një ndeshje e Kategorisë I (në të vërtetë II), ajo Turbina – KS Lushnja ku 3 arbitra ishin të kryeqytetit Tiranë, por edhe delegati. Dhe shkova te harta e Shqipërisë e u çudita se si nuk mund të shkuaka në Cërrik gjyqtar nga Elbasani. A thua nuk ka? Po edhe nëse nuk ka, fajin e ke ti që nuk ke punuar që të ketë.

Nuk arrita të merresha me “prejardhjen” e “varistëve” dhe as me rastet po aq “ad absurdum” kur delegat apo vëzhgues mund të bëjnë moviolistin në një TV. Kjo do të ishte përtej “ad absurdum”.

Ndërkohë që, ec e gjeje mandej përse në ndeshjen e Kategorisë II (në të vërtetë III), atë Luzi 2008 – KS Elbasani të tre gjyqtarët kishin ardhur nga kryeqyteti Tiranë. Assesi nuk mund të ishin nga të afërtit Durrës apo Rrogozhinë. Por ajo që shkrova në ditar me germa kapitale ishte rezultati i ndeshjes, 6- 0 për skuadrën e Luzit 2008, që dihet nuk është qytet. Shkrova: Humbja më “ad absurdum” në histori edhe ngaqë pashë se skuadra e Elbasanit ishte në vendin e 7-të të Grupit A me 20 pikë më pak nga Oriku kryesues, për të cilin nuk di nëse sot ka marrë statusin e qytetit.

Dhe nuk u ndala me kaq. U ngjita një kategori më lart, atë që i thonë Kategori I (në të vërtetë II) dhe pashë pra se Besa e Kavajës ishte në vendin e 8-të me 21 pikë më pak nga kryesuesja Bylis. E kështu, Kavaja “kurrë më” nuk do ta ketë skuadrën e tij fisnike në kampionatin kombëtar të Shqipërisë. Të paktën Tomori i Beratit, fort i mirënjohur, ishte i 5-ti, por edhe ai bukur 18 pikë larg Bylisit të Ballshit që e pati bërë futbollin nja një shekull mbas Besës së Kavajës e Tomorit të Beratit.

Prej këtu ditari im “ad absurdum” u ndal te kampionatet e basketbollit e të volejbollit. Vetëm 6 skuadra kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj, prej të cilave 4 nga qerthulli i kryeqytetit Tiranë. Nga Shqipëria “tjetër” vetëm 2: Teuta e Durrësit e Vllaznia e Shkodrës. Kur shkova te kampionati i femrave, për fat, këtu kishte 2 skuadra më tepër, pra ishin 8, madje ishin në barazim 4-4 jashtë Tirana me Tiranën.

Dhe papritmas, u forcua disi raporti te kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ku ishin 9 skuadra, prej të cilave për çudi 1 më tepër (5) përfaqësonin “Shqipërinë tjetër”.

Mirëpo, kur shkova te historia, vërejta se “ad absurdum” nuk mund të shfuqizohej. Ndala te viti 1970 kur përjetonim kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj ndër më cilësorët në histori. Nuk kanë qenë as 6, as 8, as 9 skuadra, por plot 12 skuadra pjesëmarrëse, 7 prej të cilave nga “Shqipëria tjetër”: Vllaznia e Shkodrës, Lokomotiva e Durrësit, Skënderbeu i Korçës, Butrinti i Sarandës, Flamurtari i Vlorës, Kastrioti i Krujës, Traktori i Lushnjës!

Dhe a e dini se çka ka qenë viti 1969 e 1970 për volejbollin e këtij kampionati me 12 skuadra? Asokohe vazhdonin ndeshjet e mëdha të Dinamos në Kupën e Europës, ndërsa në Kupën e Botës kishim Shqipëria 3-0 kundër RF Gjermane, 3-0 Turqisë, 3-0 Greqisë. Vështirë t’iu marrim ndonjë set sot!…

Dhe papritmas, shtanga kur shkrova në ditar se në 6 skuadra vetëm të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj kishte 17 lojtarë të huaj. Teuta, në mos gaboj, kishte 7 të huaj. Vllaznia 5 lojtarë të huaj. Ishte më shumë se “ad absurdum”. M’u kujtuan dy “prodhimet” e fundit për Kampionatin Europian të Kombëtares së Shqipërisë që ta do mendja se lind nga kampionati ynë kombëtar: Rumania – Shqipëria 101-84 dhe Luksemburgu – Shqipëria 86-75!

Ndërrova fletën e ditarit e ashtu si në fillim të këtij shkrimi shkova te gazetaria pamore televizive.

Në të gjitha ndeshjet e transmetuara të kampionatit nuk dëgjova fjalën “ndeshje”. Dëgjova vetëm “sfidë”, sfidë deri në pambarim. Në të vërtetë ka kohë që ka humbur fjalori i shqipes në përhapjen e kulturës së vërtetë gjuhësore shqiptare te populli edhe përmes transmetimeve sportive televizive. E në vazhdimësi e pasuar kështu “sfida” te “supersfida” e te “supergoli”.

Gjithçka “super”, përveç gazetarisë. “Ad absurdum” edhe kjo. E “ad absurdum” ta do ta mendja se është edhe copëzimi i zhvillimit të vetëm 5 ndeshjeve deri në dy, por edhe në tri ditë. Nëse kjo bëhet për hir të orareve të ndeshjeve të shteteve të tjera, atëherë kjo antiatdhetari do të duhej të dënohej.

“Ad absurdum” që nuk ndal! Diskutohet me nja katër burra të pranishëm deri 1 orë rresht në TV për një ndeshje të rëndomtë të kampionatit të Republikës së Italisë, madje jo rrallë deri në mbi një “ad absurdum” edhe duke dhënë “këshilla” se çka duhet të bëjnë këto skuadra italiane. Apo që një TV tjetër buçet me motoçiklizmin – një sport që nuk ekziston në Shqipëri – ndërsa nuk do të dihet se kur do të mund të transmetohet një herë, një herë të vetme në TV një kampionat kombëtar i atletikës së lehtë që është themeluesja e kampionateve sportive në Shqipëri (1929). Apo transmetimet e Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, që për amatorët është i pari në Europë (1925).

Dhe mandej ndodh që një drejtues i sporteve në një televizion “superkombëtar” është i rregullt i pranishëm në një televizion tjetër. Pra, jo në televizionin ku punon e drejton. Dikur, ne gazetarëve të të përditshmeve në regjimin komunist, nuk na lejohej të shkruanim në gazeta të tjera. Më e shumta në ndonjë revistë.

Dhe m’u kujtua shoku im i vjetër Leka Bungo, sot kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH, i cili kohët e fundit shkroi se do të ishte mirë ta mbyllim për nja tre muaj RTSHnë e t’ia fillojmë prej s’parit. “Kena ramun Lekë?” Besoj se ma kupton nëntekstin e kësaj shprehjeje që e patëm bërë tonën dikur…

E tash na vjen të shkruajmë në ditarin tonë rastin e një gazetari të vjetër si “ad absurdum” të një kohe të shekullit të shkuar. Kur Anton Mazrreku u zgjodh nënkryetar i BFSSH dhe nënkryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit, ministri i Arsimit, Manush Myftiu, megjithëse kishte respekt të madh për Mazrrekun e paharrueshëm, e ndaloi të transmetonte ndeshje.

Ia quajti “konflikt interesi”. Nuk mund të transmetojë ndeshje një funksionar i drejtimit të sportev, i tha. Mirëpo, Antoni ishte i pazëvendësueshëm në radiokronikat dhe mbas nja pak muajve u detyruan ta rikthenin.

Këtu tash për tash, m’u ndal ditari im “ad absurdum” datuar 13-14 mars 2022.
(Marre nga gazeta Panorama Sport)*Titulli eshte vene nga redaksia jone.