Trajneri Elvis Plori do të bëjë debutimin e tij si trajneri i parë i Vllaznisë në përballjen e javës së 26-të ndaj Egnatias. Klubi shkodran vendosi largimin e gjermanit Thomas Brdariç pas luhatjeve që tregoi skuadra në javët e fundit, ndërsa mendoi që t’i jepte një zgjidhje brenda familjes, me Plorin i cili në këto dy edicione ka qenë zëvendës trajner.

Dëmtimet mund të kthehen në një problem për trajnerin Plori, me disa prej titullarëve që kanë shfaqur probleme. Katër futbollistë kanë shfaqur shqetësime fizike dhe do të jenë në dyshim për takimin me rrogozhinasit.

Erdenis Gurishta, Fjoart Jonuzi, Da Silva dhe Liridon Latifi kanë pësuar dëmtime dhe janë në rrezik për takimin e radhës. Në anën tjetër mungesë e sigurt është ajo e Ante Aralica, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Stafi mjekësor do të punojë deri para sfidës me Egnatian, në mënyrë që së paku ndonjë prej lojtarëve të dëmtuar të jetë i aftë për të dhënë kontributin e tij për skuadrën.

Sigurisht që ndërlikohen llogaritë për Plorin, i cili duhet të bëjë pa një pjesë të titullarëve, ndërsa e nis aventurën e tij në stolin kuqeblu ndaj një skuadre që kërkon me doemos që të marrë pikë, për të shmangur rënien nga kategoria.

Vllaznia ka grumbulluar pas 25 javësh 39 pikë, tre më pak se Kukësi i vendit të tretë, pozicion që sjell një biletë europiane.