Kombëtarja e futbollit mbylli me sukses dy ndeshjet e qershorit, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Në letër ishin dy ndeshje të lehta, por të gjithë e pamë që në fushë nuk dolën edhe aq të thjeshta. Në fund të fundit, nuk ka më skuadra të lehta. Bota është zhvilluar shumë.
Studiojnë, mësojnë, përgatiten dhe luajnë. Kundër Moldavisë, zhbllokimi i rezultatit erdhi nga një perlë individuale e Jasir Asanit. Të rëndësishme ishin tri pikët në ndeshjen e parë në shtëpi. Një shtëpi, “Air Albania”, e mbushur plot e përplot. Ashtu siç është mbushur kundër skuadrave të mëdha. Me një atmosferë elektrizuese. Kombëtarja ka nevojë për lojtarin e saj të 12-të dhe të shtunën e kaluar kundër Moldavisë e pati.
Të martën, Shqipëria korri një fitore të rëndësishme me Ishujt Faroe. Edhe në këtë transfertë, të vështirë, fitorja erdhi nga një tjetër perlë individuale. Kristjan Asllani i Interit të Milanos, finalist i Ligës së Kampionëve, shënoi një eurogol. Dhe ishte një tjetër talent, Ernest Muçi ai që vulosi suksesin. Sot, jemi në vendin e dytë të grupit E, me 6 pikë. Falë fitores në shtëpi, me përbysje, të Moldavisë me Poloninë.
Hajde merre vesh futbollin, nga 0-2 në 3-2. Gjithësesi, falemnderit Moldavi! Kam 43 vjet që e ndjek Kombëtaren. Është një dashuri e madhe! Është një dashuri pa kushte! Pse e kam titulluar Kombëtarja e ëndrrave? Sepse kjo Kombëtare ka dëshirë! Kjo Kombëtare ka passion! Kjo Kombëtare ka shpirt! Kjo Kombëtare ka adrenalinë! Kjo Kombëtare ka grintë! A mjaftojnë të gjitha këto për të shkuar vitin e ardhshëm në Europianin e Gjermanisë?
Unë mendoj dhe besoj fort që PO! Trajneri ynë, Silvinjo erdhi në pankinën e Kombëtares në fillim të këtij viti dhe ka futur një frymë të mrekullueshme në skuadër. Frymën që ka nevojë një skuadër për të kapur nivelet e larta. Shikoni si takohet me çdo lojtar që del nga fusha kur zëvendësohet… Shikoni si takon lojtarët e stolit kur përfundon ndeshja… Shikoni si përqafohen të gjithë futbollistët, edhe ata të stolit, kur shënohet një gol…
Këto nuk janë detaje të vogla. Këto janë detajet që bëjnë diferencën. Forca e kësaj Kombëtareje është grupi i bashkuar rreth një stafi profesionist. E kritikuan Silvinjon përpara se të fillonte punën. Unë i pari… Në fakt, e kritikuam për atë që kishte dhënë në dy klubet që kishte trajnuar (te Lioni në Francë dhe Korinthians në Brazil)… Unë jam gabuar në paragjykimin tim… Unë mendoj dhe besoj fort që do të shkojmë në Europianin e Gjermanisë. Pse? Sepse kjo Kombëtare të jep besim! Ky trajner të jep besim! Europiani i Gjermanisë është një ëndërr shumë e bukur, plotësisht e realizueshme! Nisur edhe nga ndeshjet e zhvilluara deri tani.
Kemi parë, të paktën deri tani, një Çeki dhe një Poloni jo në ditët e tyre më të mira. Nga ana tjetër, kemi Kombëtaren tonë “Zjarr”! Shqipëria ka sot një grup futbollistësh që nuk e ka patur kurrë më parë. Me Brojën që na kthehet në shtator, me Uzunin, Asllanin, Bajramin, Asanin, Mehmetin, Baren, Muçin, Seferin, Mitajn, Kumbullën, Ismajlin, Balliun, Hysajn, Gjimshitin, Cikalleshin, Sadikun, etj… Kemi të tashmen dhe të ardhmen! Në fund të fitores kundër Ishujve Faroe, trajneri Silvinjo mbajti një fjalim të shkurtër, motivues për skuadrën, natyrisht duke i përgëzuar për fitoren.
“Dua t’iu shoh të gjithëve në sy. E merituat, festoni dhe duhet të ktheheni duke ëndërruar. Me një dëshirë, me një qëllim drejt EURO 2024”! Pas pushimeve, në fillim të shtatorit, na presin dy sfida të forta, të vërteta. Shkojmë në Çeki (7 shtator) dhe presim Poloninë në “Air Albania” (10 shtator). Të ëndërrojmë! Është bukur të ëndërrosh! Gjithçka kalon më parë nga ëndrra! Në shtator, “ndahet shapi nga sheqeri”! Ëndrra e EURO 2024 është plotësisht e realizueshme! Duket në ajër!