✍️ Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia ka kaluar vite me ulje dhe ngritje periudhën e fundit. Megjithatë, tashmë kuqeblutë po kalojnë një periudhë pozitive nën drejtimin e trajnerit Edi Martini. Shpesh, opinioni sportiv shkodran ka kërkuar një trajner që të fliste “gjuhën e tyre”, atë të karakterit, pasionit dhe përkushtimit.

Tashmë, me Edi Martinin, më në fund duket se ky boshllëk është mbushur. Trajneri shkodran, që e njeh mirë frymën kuqeblu, ka arritur të rikthejë stabilitetin dhe identitetin e skuadrës, duke e shndërruar ekipin në një nga më të fortit e kampionatit.

Nën drejtimin e tij, loja e Vllaznisë është bërë më e disiplinuar, më e balancuar dhe me mentalitet fitues. Futbollistët duket se besojnë te trajneri, ndërsa edhe rezultatet flasin vetë, me skuadrën që është më e mira e Superiores deri më tani dhe lufton për objektiva të qartë, titullin kampion. Po ashtu, përveç anës taktike, Martini ka ditur të menaxhojë edhe aspektin psikologjik të grupit, duke rikthyer harmoni në dhomën e zhveshjes, por edhe besim te tifozët.

Jo më kot, shumë prej tyre e cilësojnë “njeriun e duhur në vendin e duhur”. Martini nuk është thjesht një emër në pankinë, por është simbol i një mentaliteti që përputhet me ADN-në shkodrane. Ai e njeh qytetin, presionin, dashurinë për futbollin dhe kërkesat e tifozëve që nuk kënaqen lehtë. Ndoshta, pikërisht kjo njohje e bën të veçantë mënyrën se si ai e drejton skuadrën, duke nisur nga agresiviteti i duhur që po i përcjell Vllaznisë e deri tek autoriteti që ka, sidomos në konferencat për shtyp para dhe pas ndeshjes.

Në një kampionat ku ndryshimet në pankinë janë të shpeshta, Edi Martini po dëshmon se suksesi nuk vjen vetëm nga taktikat, por edhe nga krijimi i një identiteti. Në këtë drejtim, ai po e rikthen Vllazninë aty ku e do historia, në majë dhe me dinjitet.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”