Friday, January 9, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREOpinion nga Namik Mehmeti/ Kush e propozoi 'krushqinë' e Blendi Fevziut me...

Opinion nga Namik Mehmeti/ Kush e propozoi ‘krushqinë’ e Blendi Fevziut me Vllazninë?

Një lajm nga mbledhja e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ku u rizgjodh kryetar z. Lazer Matija, një figurë e nderuar dhe e respektuar në Shkodër e më gjerë, për kontributin e tij të pakursyer në futboll, deri edhe në arenën ndërkombëtare me ekipin e femrave të Vllaznisë, nuk ishte për t’u befasuar.

Po ashtu, edhe propozimi për z. Duka si president i FSHF-së nuk ishte për t’u befasuar, pasi vetë z. Duka e ka bërë publike “krushqinë” e lidhur me Vllazninë 23 vite më parë, kur i ndjeri Myftar Çela, si president i Vllaznisë, kishte bërë propozimin për z. Dukën në drejtimin e futbollit shqiptar.

Por ajo që të befason nga punimet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodran ishte propozimi i bërë për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për një personalitet tashmë të njohur në fushën e gazetarisë, e ndoshta edhe të politikës shqiptare: z. Blendi Fevziu.

Pa dyshim, futbolli shkodran nderohet me emra personalitetesh të tillë të njohur në Shqipëri, në mbarë trojet shqiptare, në diasporë e më tej. Por pyetja që shtrohet është: çfarë e lidh z. Blendi Fevziun me futbollin shkodran dhe me Vllazninë?

Për sa e kam ndjekur ecurinë e futbollit shkodran për më shumë se gjysmë shekulli, nuk e kam parë asnjëherë z. Fevziun — kuptohet, në 30 vitet e demokracisë, kur ai nisi të bëjë emër me emisionin politik “Opinion” — të shfaqet si “dhëndër” i futbollit shkodran, të jetë i pranishëm në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi”. (Në “Arenën Kombëtare” ndoshta ka bërë tifozllëk për Vllazninë.)

Edhe në “Opinion” mund të ketë shfaqur ndonjë ndjenjë simpatie dhe, si një dashamirës i Shkodrës, mund të jetë shok e mik i qindra shkodranëve që përfaqësojnë sfera historike, politike, kulturore, artistike e sportive të qytetit verior.

Nuk është pa vlerë të jesh ambasador i sportit shkodran në kryeqytet, në Tiranë, por më parë një privilegj i tillë u takon intelektualëve shkodranë: qofshin gazetarë, artistë, ish-futbollistë apo opinionistë, të cilëve nuk u mungon as “gishti” i qytetit të tyre.

A nuk është e mjaftueshme, madje më se e denjë, figura e kompozitorit të mirënjohur Osman Mula, që e ka lidhur emrin e Vllaznisë me notat e pentagramit? Apo emri i gazetarit të afirmuar dhe historianit të sportit, z. Besnik Dizdari, i cili mbron dhe vlerëson me fanatizëm skuadrën e vendlindjes së tij, Vllazninë? Po ashtu, ish-futbollisti dhe trajneri i njohur në rang kombëtar e ndërkombëtar Astrit Hafizi, apo me të njëjtin vlerësim edhe emrat e Rudi Vatës dhe Hysen Zmijanit.

Personi që ka bërë propozimin për z. Fevziun duhej të kishte sjellë ndër mend këta emra, apo edhe të tjerë, që kanë veshur me dinjitet fanellën e Vllaznisë.

E po e mbyll këtë shkrim me pak humor. Nëse duhej patjetër emri i një opinionisti nga një “derë e madhe”, si ajo e Toptanëve, z. Fevziu, edhe Shkodra ka gazetarë nga dyer të mëdha, si Bushatllinjtë, dhe pinjollin e tyre, gazetarin e guximshëm Andi Bushati, babai i të cilit, Mehdi Bushati, e ka nisur karrierën e futbollit te Vllaznia. Dikush mund të më tërheqë vëmendjen se ky krahasim nuk qëndron, pasi z. Fevziu është i përndjekur, ndërsa z. Bushati vjen nga ish-blloku komunist!!!

Namik Mehmeti
Firence

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments