Ditën e premte në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi zhvillohet klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia -Tirana. Me rastin e 40-vjetorit të shkollës “Ndre Mjeda”, stafi i Vllaznisë Edi Martini, Ergi Borshi, Bekim Bala, Ardit Krymi dhe Sherif Kallaku, ishin mes nxënësve, mësuesve të kësaj shkolle të rikonstruktuar shumë bukur. Ata ndanë emocione, autografe dhe një mesazh të thjeshtë: ‘Vllaznia është e shkollave’.
Me këtë rast, ata ftuan të gjitha shkollat e qytetit të ndjekin falas, klasiken e futbollit shqiptar Vllaznia – Tirana. Ky është një aktivitet, që frymëzon emocionalisht dhe psikologjikisht, që mendon për të ardhmen e futbollit dhe masivizimin e këtij sporti magjik. Kjo ndeshje nuk duhet humbur nga të gjithë brezat e qytetit të Shkodrës, kryesisht të rinjtë dhe fëmijët. Ata janë e ardhmja e Shkodrës, kulturës, futbollit dhe do të cojnë më tej burimet dhe energjitë që ka qyteti i Shkodrës.
Është mirë që ekipi dhe drejtuesit duhet ta ‘harrojnë’ humbjen me Bylis, mbasi ishte ndeshje tipike e vështirë transfertë. Në këto fusha, në Ballsh, loja shpesh bëhet më shumë fizike, me shumë duele dhe tension. Ndërsa theksi duhet të vihet në dimensionin psikologjik. Këtu është edhe thelbi i kirijimit të besimit për klasiken Vllaznia Tirana. Pas një vendimi të diskutueshëm, skuadra mund të reagojë në dy mënyra: Të bjerë emocionalisht (ndjenjë padrejtësie, tension, nervozizëm) osetë përdorë si motivim shtesë (“na hoqën diçka, tani në ndeshjen e radhës reagojmë”).
Vllaznia e Shkodrës, nëse do të synojë objektiva madhorë, duhet të zgjedhë opsionin e dytë. Në ndeshjen e radhës, energjia duhet kanalizuar te fusha. Ekipi duhet të rikuperohet emocionalisht dhe besoj se e kanë bërë analizën e qetë të ndeshjes së kaluar. Në fokus duhet të jenë gabimet e veta, jo vetëm tek arbitri. Mesazh i qartë nga trajneri Martini duhet të jetë: “Ne kontrollojmë lojën tonë”. Intensitet më i lartë duhet të jetë në 20 minutat e para të ndeshjes me Tiranën.
Skuadra e Vllaznisë duhet që të reagojë menjëherë dhe të tregojnë karakter kampioni. Shpesh ndeshjet nuk vendosen vetëm nga një episod. Duhet më shumë konkretizim. Në kampionat fiton skuadra që menaxhon më mirë episodet negative. Nëse Vllaznia e përdor këtë moment si energji mobilizuese, mund të dalë më e fortë. Psikologjia e ‘padrejtësisë’, kur menaxhohet mirë, shndërrohet në motivim kolektiv.
Si përfundim, karakteri i kampionit, motivimni kolektiv dhe menaxhimi i episodeve negative duhet të jetë motoja e ndeshjes së radhës VllazniaTirana.


